Sipas demokratëve, skema e shitblerjes së votës përfshinte edhe grupe kriminale që kultivonin kanabis. Edhe pse Dibra nuk ishte lakuar më parë si zonë e nxehtë kultivimi, akuzat u intensifikuan në fushatë.
“Nuk ishin dibranët që mbillnin kanabis, kam takuar lazaratas në rrugët e Dibrës, edhe gati ma tha copë për çfarë ishte. E kuptova nga dialekti, më foli, më përshëndeti, ‘si je shefo’ më tha, e kuptova që nuk ishte nga Dibra e ma tha copë. Kam ardhur për punë se këta këtej kanë nevojë për ne”, tregon Edi Paloka, nënkryetar PD-së.
Mbetet ende e paqartë sesi ish-deputeti Paloka kishte identifikuar një trafikant, më pas ishin përshëndetur dhe kishin biseduar për kultivimin e kanabisit.
“Po Lulzim Basha dhe establishment i tij politik që në 114 fshatrat e Dibrës shkonin nga dy herë në ditë, keni parë ndonjë pamje filmike të xhiruar?”, tha Ulsi Manja, deputet PS-ës.
“Vetë fshatarët që na informonin se ne sigurisht nuk futeshim nëpër shkurre e ferra se s’kishim vajtur për të gjurmuar atje kanabisin”, tregon Edi Paloka, Nënkryetar PD
Denoncimet aso kohe ishin vetëm publike, nga foltorja e selisë blu, duke shmangur policinë ose prokurorinë.
“Unë denoncoja në ato kohë parcelat e shefit të komisariatit, dhe ai do shkonte për të zbuluar parcelat e tij?” pohon Flamur Noka, ish-deputet i PD./TCH/