Tre persona humbën jetën në tërmetet e reja me magnitudë 6.4 dhe 5.8 që goditën provincën e Hatay të Turqisë në kufirin me Sirinë. Kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu, duke nënvizuar se 213 persona kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar në spital, ndërkohë që vijojnë operacionet e kërkimit në tre ndërtesa të shembura.
Mes viktimave është një grua e vrarë nga shembja e një blloku betoni që i ra në kokë në qytetin e Samandag. Të lënduar janë shënuar edhe në Siri, në Alepo dhe Idlib.
Menjëherë nisën evakuimet edhe nga spitalet në të gjithë provincën e prekur, ndërsa u lëshua edhe një paralajmërim për cunami.
Evakuimet u shkaktuan menjëherë , madje edhe nga spitalet, në të gjithë provincën e prekur, ndërsa paralajmërimi për cunami u lëshua pak minuta pas lëkundjeve, më pas u kthye. Epiqendra e goditjes më të fortë, prej 6.4, ndodhi midis Samandag, një qytet bregdetar pranë kufirit me Sirinë dhe Defne. Tërmeti është ndjerë jo vetëm në provincat fqinje siriane, por edhe në Qipro, Liban, Irak, Palestinë, Izrael dhe Egjipt.
Dy pasgoditjet u regjistruan me orën 20:04 dhe 20:07 me orën lokale, dhe megjithëse janë të pavarura, ato janë të lidhura me tërmetin e 6 shkurtit. Pas tërmetit të dy javëve më parë, më shumë se 6,000 pasgoditje u regjistruan në zonën e prekur
Dy lëkundjet e mëdha të së hënës krijuan panik tek të zhvendosurit që tashmë janë pritur në qytetet me tenda të ngritura në rrugë.
Tërmeti që goditi Hatajn erdhi pak orë pas vizitës së presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, i cili kishte shkuar në zonë dhe njoftoi se në mars do të nisë rindërtimi “nga e para” i të gjitha qyteteve turke të shkatërruara nga tërmeti.