Connect with us

Albania

Ndëshkime për mediat kritike/ Rama gjobit me 17 milionë lekë Hysenbelliu Group

Published

on

Inspektorët tatimorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave lëshuan javës që shkoi dy gjoba të rënda për të dy televizione shqiptare, të cilat kanë pasur një qëndrim kritik ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Televizioni Ora News u gjobit për 50 milionë lekë (437 mijë euro) ndërsa Focus Media, kompania që ka nën pronësi televizionin News 24, u sanksionuan me 20 milionë lekë, 173,000 euro.

Zyra e shtypit e grupit të kompanive Hysenbelliu, i cila ka nën pronësi Focus Media, i tha BIRN në një përgigje me shkrim se kjo gjobë ishte pjesë e një fushate gjobëvënëse të zyrave të ndryshme të qeverisë me shënjestër këtë media, për shkak të qëndrimit të saj kritik ndaj qeverisë.

“Gjoba prej 20 milionë lekësh të reja që Tatimet i kanë vendosur televizionit News24 është vetëm maja e ajsbergut e një fushate 9 mujore që agjencitë qeveritare si IKMT, Drejtoria e Tatimeve dhe Doganave kanë ndërmarrë ndaj të gjitha kompanive të Hysenbelliu Group, pronar i mediave News24, Ballkanweb dhe Panorama,” deklaroi konglemerati me investime në media, ndërtim, turizëm dhe industrinë ushqimore.

“Tatimet dhe Doganat kanë ushtruar kontrolle selektive gjatë 9 muajve të fundit te Birra Tirana dhe birra Korça, ku janë vendosur rreth 6 milionë euro gjoba në këto 2 kompani,” shtoi kompania, ndërsa theksoi “se gjatë 30 viteve në veprimtari biznesi, kompanitë e Hysenbelliu group nuk janë gjobitur as me 0.1% të vlerës së këtyre gjobave të mara 9 muajt e fundit.

Advertisement

Hysenbelliu Group akuzoi drejtpërdrejtë kryeminstrin Edi Rama si përgjegjës dhe urdhërues i gjobave.

“Ështe e qartë se kjo fushatë gjobash historike, me vlerë marramendëse prej mbi 17 milionë eurosh nga agjencitë qeveritare, është ndërmarrë me urdhër direkt të kryeministrit Rama, si hakmarrje ndaj linjës editoriale të mediave News24, Balkanweb dhe Panorama,” përfundoi deklarata.

Edhe drejtori i informacionit në televizionin Ora News, Brahim Shima ishte ngjashëm kritik ndaj sanksioneve të marra nga tatimet ndaj televizionit që është nën sekuestro preventive me vendim gjykate dhe administrohet nga shteti.

Shima deklaroi se gjoba ishte një përpjekje tjetër për të mbyllur këtë kanal televiziv ndërsa nënvizoi që kompania ka qenë nën administrim shtetëror gjatë kohës kur supozohet se ka kryer evazion fiskal. “Kjo gjobë thjeshtë synon të na mbyllë, të mbyllë një hapësirë për të kryer punën tonë në mënyrë të pavarur”, deklaroi Shima.

Advertisement

Agjencia e Medias dhe Informimit (MIA) refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve specifike të BIRN mbi akuzat se qeveria po shënjestron median kritike për qëndrimet e tyre kritike kundër politikave të saj. MIA i konsideroi pyetjet “të natyrës tepër teknike” dhe sugjeroi që ato t’i drejtohen Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave. “Qeveria shqiptare tregon respektin maksimal për median dhe gazetaret, si dhe për detyrën që ata kryejnë, por njëkohësisht theksojmë se misioni i saj është zbatimi i përpiktë të ligjit, i cili është i barabartë për të gjithë dhe ky është një parim universal,” deklaroi MIA në një përgjigje me email.

DPT nuk iu përgjigj pyetjeve të dërguara me email. Zyra e saj e shtypit nuk ishte e arritshme nëpërmjet telefonit.

Bilance të dyfishta?

Advertisement

Sipas një raporti të publikuar nga organizatat ndërkombëtare partnere të Platformës së Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve në nëntor 2022, Shqipëria vazhdon të përjetojë një përkeqësim të lirisë së medias, pasi nuk është bërë asnjë progres në vitet e fundit në përmirësimin e mjedisit mundësues për gazetarinë e pavarur dhe pluralizmin mediatik.

Focus Media and Ora News kanë qenë në syrin e ciklonit të përplasjes së medias me qeverinë dhe gjyqësorin gjatë vitit 2022. Në korrik Gykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Ogranizuar urdhëroi konfiskimin e aseteve të biznesmenit Ylli Ndroqi, mes të cilave dhe të televizionit Ora News. Ndërkohë në shtator, IKMT hodhi në erë me eksploziv resortin ‘Prestige’ në plazhin e Golemit, në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliut – pronar i News 24, me arsyetimin se kishte shkelur lejen e ndërtimit.

Raporti i inspektimit nga Drejtoria e Tatimeve për Focus Media, parë nga BIRN, tregon se inspektorët fiskalë kanë vendosur të konsiderojnë si të jashtëligjshme pagat e punonjësve që janë “poshtë mesatares së tregut” për profesionin specifik dhe për këtë arsye, i kanë rillogaritur detyrimet fiskale njësoj sikur këto paga të ishin në mesataren e tregut.

Advertisement

Bazuar në këtë arsyetim, inspektorët konkluduan se kompania duhet të paguajë 7.3 milionë lekë më shumë sigurime shoqërore e shëndetësore dhe 3.5 milionë lekë më shumë tatim i mbajtur në burim për të ardhuat personale. Këtyre u shtohen gjoba në masën 100% për sigurimet shoqërore dhe 50% për tatimin mbi të ardhurat personale, duke e shtuar kështu faturën në afro 20 milionë lekë.

Gjobat e vendosura ndaj këtyre kompanive janë të konsiderueshme në krahasim me qarkullimin e tyre të zakonshëm. Ora News pati të ardhura vjetore prej 120 milionë lekësh për vitin 2021 ndërsa gjoba prej 50 milionë lekësh përbën 42% të të ardhurave të saj vjetore. Focus Media Group pati të ardhura në masën 400 milionë lekë. Gjoba prej 20 milionësh është e barabartë me 5% të xhiros vjetore.

Informaliteti fiskal perceptohet si i gjithëpërhapur në Shqipëri, me kompanitë që mbajnë libra të ndryshëm llogarish për tatimet nga librat e llogarive për qëllime të menaxhimit të brendshëm, me synimin final të nëndeklarimit të shitjeve dhe detyrimeve fiskale për sigurime shoqërore e për Tatim mbi të Ardhurat Personale, për të cilin kompanitë kanë rolin e agjentit tatimor. Në raste të tilla, kompanitë paguajnë një pjesë të pagës së punonjësit përmes rrugës së rregullt duke kryer transfertë bankare dhe një pjesë në para të thata.

Advertisement

Në dhjetor 2021, një file në programin ‘Excel’ që përmbante të dhënat e afro 630 mijë shqiptarëve, e gjithë forca e punës në vend, rrodhi në internet. Kjo ishte hera e parë që të dhëna të tilla masive u bënë të disponueshme publikisht dhe mund të analizoheshin në mënyrë të pavarur. U vu re se shumë kompani raportonin paga anomalisht të ulëta për profesione që normalisht janë të mirëpaguara. Për shembull, juristë të punësuar me pagë të deklaruar prej 30 mijë lekësh, paga minimale në vend.

Përballur me këto pikëpyertje, qeveria pretendoi se do ta luftojë problemin. Ishte bazuar në këtë iniciativë që Drejtoria e Përgjithshme e Taksave vendosi të dërgojë inspektorë te kompanitë e medias. Raporti i inspektimit mbi Focus Media Group deklaron se inspektimi nuk gjeti prova që të sugjeronin se kompania kishte punësuar njerëz në të zezë dhe as nuk gjeti prova për mbajtje bilancesh të dyfishta. Gjithsesi, ata konkluduan se disa nga punonjësit kishin paga “poshtë mesatares së tregut”. Raporti deklaron për shembull se paga mesatare e gazetarëve në Shqipëri është rreth 75 mijë lekë. Rrjedhimisht, inspektorët gjykojnë që çdo gazetar që ka pagë më të ulët se sa kaq, duhet të shërbejë si bazë për rivlerësim tatimor, duke i llogaritur detyrimet njësoj sikur ai ta kishte pagën të barabartë me mesataren e tregut.

Drejtoria e Përgjithshme e Taksave nuk iu përgjigj pyetjeve të BIRN se për çfarë arsyeje mediat ishin përzgjedhur për inspektime nga e gjithë ekonomia. Ajo nuk iu përgjigj pyetjeve mbi metodologjinë e përdorur për të identifikuar sektorët dhe kompanitë me rrezik të lartë.

Advertisement

Arbitrariteti fiskal është një problem i vjetër i administratës tatimore shqiptare. Përgjatë viteve, metodologji të ndryshme janë zhvilluar për të kryer përzgjedhjen e kompanive për inspektim në bazë të llogarive të paanëshme, të cilat synojnë nga njëra anë që të maksimizojnë efikasitetin e punës së inspektorëve, duke i dërguar ato për inspektime vetëm në kompanitë ku evazioni fiskal potencial është i lartë, ashtu edhe për të shmangur arbitraritetin, duke i dërguar ata vetëm te ato kompani, të cilat dyshohen për evazion për shkak se ushtrimet logjike të bilanceve i nxjerrin si të dyshimta. BalkanInsight

Continue Reading

Albania

Vit sfidues

Published

on

By

Opinion Nga Ilir Kalemaj 

Viti që lamë pas ishte i mbarsur me sfida të shumta lokale, rajonale dhe globale. Fillimisht së brendshmi pamë gremisje të mëtejshme të standarteve demokratike, korrupsion endemik, sistemik dhe kapilar që i shartuar me krimin e organizuar na rezultoi deri në kapje shteti, duke tejkaluar skenarët më të çartur hollivudianë. Rrugë të florinjta që avullojnë para shqiptarësh, verë që shkon në miliona euro dhe fluturon natën me qilim magjik, më shumë se 40 hajdutë që hanë dardhe dhe kumbulla pas shpine të Ali babës, konkurrentë që merren peng ditën për diell nga policia që pushteti do dhe plot thagma të tjera të cilat vështirë se bëhen dhe filma gjetkë.  

Përsa i përket situatës në rajon, Kosovo gjendet mes një kapërcyelli epokal që paraqet sa sfida aq edhe mundësi. Një vit për t’u harruar politik, me tre palë zgjedhje përfshirë dy sojesh parlamentare, me rreth 50 votime për të zgjedhur vetëm kryeparlamentarin, me dështimin e vetdijshëm apo jo të Kurtit për të formuar qeveri, me një sjellje ngurruese dhe pa strategji të qartë opozitare për mos të lënë vendin pa qeveri, me palët politike që rrekeshin të përftonin kapital politik ndërkohë që republika e re ballafaqohej me kriza ekzistenciale. Përsa i përket faktorëve ndërkombëtarë, nga njëra anë kemi SHBA-në, e cila jo më larg se shtatori i këtij viti njoftoi për një pezullim të pacaktuar të dialogut të planifikuar me vendin si një shuplakë të drejtuar qeverisë kujdestare Kurti, ndërkohë që masat ndëshkuese (dhe në thelb të padrejta të BE-së) pritën vetëm fundin e vitit për t’u hequr duke i shkaktuar vendit një kosto jo të vogël financiare, ekonomike por edhe me pasoja sociale. Gjithsesi me zgjedhjet e sotme, shpresa është që republika e re e Kosovës të kthehet në shinat e normalitetit politik, qëndrueshmërisë institucionale, demokracisë përfaqësuese si e vetmja “lojë në qytet” dhe shtimit të ritmit të integrimeve euro-atlantike. Kjo do të jetë dhe barra e provës dhe testi i qeverisë së re që me shumë gjasa do të jetë qeveri koalicioni, ku shanset më të mëdha anojnë nga Vetvendosja si parti e parë për të krijuar qeveri kësaj radhe me partnerë një nga partitë kryesore të opozitës, me gjasë PDK-në. 

Ndërkohë politikës së uljes në shumë karrige të Serbisë, duket se po i vjen fundi, pas sanksionimit të NIS, gjuhës së ashpër të Washingtonit ndaj Vuçiqit, ngrirjes së procesit të hapjes dhe përmbylljes së grupkapitujve të negociatave, qorrsokakut të vetdijshëm në lidhje me normalizimin dhe njohjen reciproke me Kosovën, krizën e brendshme si rezultat i protestave pa ndalim dhe ekspozimit të korrupsionit shtetëror. Nga ana tjetër, situata në Bosnjë-Herzegovinë duket e ngecur, me të vetmin zhvillim pozitiv “shuplakën” ndaj Dodik-ut dhe largimit të tij por edhe retorikës së ashpër separatiste që vendoste nën presion të vazhdueshëm Sarajevën dhe testonte limitet e institucioneve të brishta. Maqedonia e Veriut vijon të jetë e kushtëzuar nga Bullgaria përsa i përket procesit të integrimit evropian, ndërsa Mali i Zi merr notën e vetme kaluese në rajon në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë e reformave pavarësisht problemeve të brendshme politike, që mendohet se do t’i hapin rrugën e integrimit të plotë në BE në harkun e viteve 2028-2030. 

Advertisement

Për Shqipërinë, ndonëse ky ka qenë premtimi elektoral i socialistëve të udhëhequr nga Rama, duket se nuk ka shans që kjo të ndodhë, pasi një sërë dështimesh edhe në raport me detyrimet karshi Brukselit kanë kushtëzuar procesin. Mjaft të përmendim dështimin për miratimin dhe zbatimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së për energjinë dhe vendimin në lidhje me këtë të Ministerialit të Energjisë së BE-së ku Shqipëria tashmë rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë apo hetimin e OLAF-it dhe ndëshkimin për fondet e keqdrejtuara (apo më saktë të përlara) të IPARD-it i cili e ka dëmtuar edhe më tepër një sektor që zë një përqindje të konsiderueshme të PBB-së dhe ushqen mijëra familje fermerësh të ndershëm shqiptarë. Ndërkohë që fermerët në mbarë BE-në janë ngritur në revoltë për drejtimin e politikave të përbashkëta bujqësore që kanë cënuar disi sigurinë e tyre, fermerët tanë përvec ndonjë proteste sporadike, kanë zgjedhur mesa duket të largohen nga fshati drejt metropolit apo larg në emigrim. 

Por vëmendja ndaj rajonit është jo vetëm në kuadër të fazave të tyre të integrimit në Bashkimin Evropian dhe vëmendjen që merr nga Brukseli rajoni që prej dekadash është konsideruar si “kopshti i pasëm” i shtëpisë së BE-së. Kthimi i vëmendjes nga Washingtoni drejt rajonit përmes “Kapitullit F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në ligjin vjetor të mbrotjes së SHBA- NDAA 2026 ligjin vjetor të mbrojtjes së SHBA, ku Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik, është një tjetër dritë shprese se mungesës së llogaridhënies nga autokratët e regjimeve klienteliste në rajon i ka ardhur fundi.

Përsa i përket ngjarjeve kryesore përqark globit, bota pa disa konflikte të vazhdueshme për të disatin vit si konflikti në Gaza, apo lufta Rusi-Ukrainë. Ndërsa për rastin e parë, plani i presidentit Trump me 20 pika duket se i ka dhënë një kornizë armëpushimi dhe mundësie të prekshme për një zgjidhje sado të dhimbshme të përkrahur nga shumica e shteteve të botës, plani i ri po 20-pikësh i dakordësuar së fundmi mes SHBA-së dhe Ukrainës pret të marrë miratimin e Federatës Ruse për të zgjidhur një konflikt thuajse 4-vjeçar, t’i jepte fund gjakderdhjes dhe humbjes së jetëve të çmuara njerëzore në konfliktin më të gjatë ndër-shtetëror në kontinentin evropian qysh prej luftës së dytë botërore.

Advertisement

Njëzet pikat e dakordësuara në planin e ri të paqes mes SHBA dhe Ukrainës dhe që pritet t’i propozohen zyrtarisht Rusisë janë një rrugëzgjidhje që do t’i hapte rrugën sigurimit të kufijve të jashtëm të BE-së, integrimit të Ukrainës në BE dhe rindërtimit të shpejtë të saj, garancive të sigurisë kryesisht nga SHBA por edhe nga BE, forcimit afatgjatë të marrëdhënies transatlantike brenda NATOs pavarësisht luhatjeve të muajve të fundit, si dhe krijimin e një klime besimi të domosdoshme për paqe afatgjatë dhe siguri rajonale.
Viti që po lëmë pas ka shenjuar dhe kriza të tjera që kanë prekur dhe disa nga arteriet kryesore të transportit, ka vështirësuar tregtinë botërore përmes bllokimeve të njëanshme, sanksioneve dhe tarifave, ka tjetërsuar dhe vështirësuar tregun e punës edhe për shkak të shpërthimit të investimeve në inteligjencë artificiale. Që një pjesë e mirë e parashikuesve e paralajmëron edhe një flluskë të mundshme përgjatë vitit që vjen dhe që ndeshet aktualisht me mungesë burimesh si tokë, ujë dhe energji. 

Gjithashtu viti që po lëmë pas ka thelluar si kurrë më parë polarizimin socio-ekonomik me një hendek financiar që ndoshta nuk do të rikuperohet më, ku shtatë kompanitë më të mëdha kanë kaluar në vlerë dhe disa nga shtetet me ekonominë më të madhe ndërkohë që ka ashpërsuar dhe klimën politike në mbarë globin. Një vit që po rithekson nevojën e rikrijimit të sferave të influencës dhe që flet përherë e më tepër me gjuhën e diktatit të fuqisë dhe interesave shtetërore, siç në fakt ka qenë trajektorja e pjesës më të madhe të historisë politike njerëzore pavarësisht iluzionit të periudhave aftashkurtra pas luftërave botërore, qoftë asaj të parë, të dytë apo luftës së ftohtë. Një vit që ka theksuar gjithashtu nevojën për stabilitet çka e demonstron edhe rritja e pabesueshme e çmimit të arit, argjendit apo të patundshemeve në nivel global ndërkohë që ka shenjuar njëherazi edhe humbjet më të mëdha nga krimi kibernetik financiar që ka synuar kryesisht portofolet kripto.

Një zile paralajmëruese kjo dhe për nxitimin e politikanëve këtejpari që bëjnë thirrje të nxituara për fundin e cash-it në ekonomi ndërkohë që të dhënat e shqiptarëve duke nisur nga e-albania dhe akshi si gardian, janë dhunuar si kurrë më parë.

Advertisement
Continue Reading

Albania

Elozhi i kujtesës

Published

on

By

nga Mira Meksi Shkrimtare

Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit

Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.

Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.

Advertisement

Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.

Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.

Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…

Advertisement

Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)

Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.

Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që  zhbëhet nga sëmundja.

Advertisement

Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)

Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.

Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:

Advertisement

 ‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)

Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha. 

Advertisement
Continue Reading

Albania

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

Published

on

By

Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.

“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.

Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.

Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.

Advertisement

“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.

Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.

Advertisement
Continue Reading

Live ALBUK TV

Kulture3 minutes ago

Shuhet ikona Brigitte Bardot, biondja seksi që revolucionarizoi kinemanë në vitet ’50

Albania8 minutes ago

Vit sfidues

Albania15 minutes ago

Elozhi i kujtesës

Kosova7 hours ago

Numërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër

UK7 hours ago

Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim

Albania8 hours ago

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

Bota8 hours ago

Presidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump

Albania8 hours ago

VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë

Kosova8 hours ago

KQZ numëron mbi 80% të votave, Vetëvendosje në epërsi të thellë

Albania9 hours ago

“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri

Albania9 hours ago

Vlora 4 ditë pa ujë, protestuesit shpërthejnë derën dhe futen në festën e Bashkisë

Kosova9 hours ago

KQZ: Ka nisur numërimi i votave, sonte rreth orës 23:00 presim t’i kemi rezultatet preliminare

Kosova9 hours ago

KQZ nis publikimin e rezultateve të para

Kosova9 hours ago

Dalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind

Kosova9 hours ago

Mbyllen qendrat e votimit në Kosovë, pjesëmarrja me e lartë se në zgjedhjet e 9 shkurtit

Albania1 day ago

Shqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”

Albania8 hours ago

VIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë

Albania8 hours ago

Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor

UK1 day ago

Rrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër

Albania9 hours ago

“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri

UK7 hours ago

Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim

Bota8 hours ago

Presidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump

Kosova7 hours ago

Numërohen 81% e kutive të votimit në Kosovë: Albin Kurti drejt mandatit të tretë si kryeministër

Kosova9 hours ago

Dalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind

Kosova8 hours ago

KQZ numëron mbi 80% të votave, Vetëvendosje në epërsi të thellë

Kosova9 hours ago

KQZ: Ka nisur numërimi i votave, sonte rreth orës 23:00 presim t’i kemi rezultatet preliminare

Albania9 hours ago

Amnisti penale nga qeveria! Lamallari: 380 të burgosur lirohen, 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi (video)

Kosova14 hours ago

Voton Presidentja Osmani: Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë

Kosova14 hours ago

Kurti voton në Prishtinë: Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive

Kosova9 hours ago

KQZ nis publikimin e rezultateve të para

Trending