Dugan Gultekin është një i ri nga Turqia. Prej 2 vitesh ai është zhvendosur në Vlorë për të punuar si barist.
Shqipëria për të është shtëpia e dytë, pasi ngjason shumë me vendlindjen e tij.
“Kam dy vjet këtu, për mua është shumë mirë, ndihem afër shqiptareve ne jemi njësoj”, thotë Dogan Gultekin.
Gjatë kohës që punonte, Dugan mësoi për tërmetin e fillim-shkurtit në Turqi. Ai tregon emocionet e përjetuara, edhe pse familja e tij jeton shumë larg epiqendrës së lëkundjeve.
“Kur mora vesh për tërmetin isha duke punuar, njeriu i parë që telefonova ishte mamaja ime. U trishtova shumë sepse isha larg dhe nuk mund të kontaktoja disa nga miqtë e mi të ngushtë. Familja ime jeton 8 mijë km larg zonës së tërmetit, por kjo nuk është e rëndësishme sepse të gjithë u ndjemë njësoj të trishtuar”, shprehet 30-vjeçari.
Pa nisur ende sezoni, 30-vjeçari do të udhëtojë drejt vendlindjes për t’u takuar me familjen. Më pas e pret sezoni turistik në Shqipëri, ku do të kthehet sërish për të punuar si barist.
Në mungesë të të rinjve në profesionet e kërkuara gjatë sezonit turistik, kompanitë janë detyruar të marrin punonjës të huaj për të plotësuar burimet njerëzore. Edhe këtë vit duket se kryefjalë e problemeve në sezonin turistik do të jetë mungesa e fuqisë punëtore.