Prodhuesi gjerman i armëve Rheinmetall, që prodhon tankun për beteja Leopard mes armëve të tjera të rënda, po shpreson që të hapë një fabrike tankesh në Ukrainë.
Lajmin e ka bërë të ditur shefi ekzekutiv i kompanisë, Armin Papperger për një gazetë gjermane.
Papperger, siç citohet nga e përditshmja “Rheinische Post” është shprehur se negociatat për ndërtimin e një fabrike të tillë janë në vijim ndërsa shtoi se vendimi do të merret brenda dy muajsh.
Një fabrikë e mundshme do të kushtonte rreth 200 milionë euro dhe mund të ndërtoheshin rreth 400 tanke çdo vit, tha Papperger për “Rheinische Post”.
Papperger shtoi se një version i ri i tankut luftarak plotësisht të dixhitalizuar “Panther” mund të ndërtohet po ashtu në Ukrainë.
Kujtojmë se Rheinmetall është prodhuesi më i madh i armëve në Gjermani me rreth 25,000 punonjës.
Në janar, prodhuesi i armëve bëri të ditur se kishte 139 “Leopardë” në magazinë, por prej tyre, vetëm 29 “Leopard 2” do të ishin gati për t’u dorëzuar në pranverën e këtij viti. Ata 29 tashmë janë premtuar teorikisht në vende të tjera si pjesë e një shkëmbimi tankesh.