Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, në konferencë për media pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së, ka thënë se marrëveshja e Ohrit do të krijojë një status quo të re në dialogun Kosovë-Serbi.
“Kam njoftuar ministrat për marrëveshjen e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë. Është arritje e madhe në procesin e normalizimit mes tyre. Krijon një status quo të re në dialog. Më nuk do të jemi në gjendje krize, por në implementim të marrëveshjeve të arritura më 27 shkurt”- tha ai.
Borrell ka theksuar se BE do të monitorojë implementimin e marrëveshjeve.
“Këto marrëveshje hyjnë në fuqi me deklaratën që e lëshova. Nuk ishte nënshkrim për shkaqe ligjore, por dyja palët u pajtuan se deklarata ime është përkushtim nga ana e tyre për të plotësuar tërësisht obligimet që dalin nga kjo marrëveshje e aneksi i implementimit” – ka deklaruar Borrell.
Sipas tij, pala kosovare e ka urgjente fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kalendari kërkon që secila palë ta bëjë pjesën e vet, nuk fillon ndërtimi i shtëpisë nga kulmi. Disa nga këto gjëra janë shumë urgjente, e kam thënë se Kosova urgjentisht duhet të përkushtohet për formimin e Asociacionit, dhe janë një sërë zotimesh dhe ne do të shohim se si palët do t’i përmbushin ato”- theksoi ai.
Në takimin e Ohrit, që u zhvillua më 18 mars, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën pajtim për aneksin për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.
Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve, që ka 11 nene, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Kjo marrëveshje kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.