Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në autostradën Tiranë-Elbasan.
Një makinë është përplasur me një kamion brenda në tunel dhe si pasojë, makina ka shpërthyer dhe drejtuesi është djegur brenda saj.
Pas mesnatës duke hyrë e diela, policia njoftoi se viktima u identifikua si Elton Maçolli, 42 vjeç.
Mësohet se ai është vëllai i deputetes së Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti.
Tragjedia rrugore ndodhi gjatë natës ndërsa i ndjeri ishte duke udhëtuar në autostradë. Teksa ndodhej në hyrje të tunelit duket se ka kryer një parakalim të gabuar dhe për pasojë është aksidentuar rëndë.
Përplasja ishte aq e fuqishme sa mjeti u bë copë-copë.
Pas përplasjes madje makina ka hyrë poshtë kamionit dhe më tej u përfshi nga flakët.
Megjithëse kanë ndërhyrë punonjësit e sigurisë së tunelit, për të ndjerin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi.
Ai është dërguar në morgun e spitalit të Elbasanit ku dhe më pas u identifikua.
Elton Maçolli punonte në bazën ushtarake të helikopterëve në Farkë.