Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe fituesi i zgjedhjeve të 6 tetorit në Kosovë, Albin Kurti në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”e ka dënuar vendimin e BE-së për ta ndërprerë zgjerimin e bllokut në Ballkan, duke thënë se liderët perëndimorë i kanë harruar mësimet nga dy luftërat botërore dhe tash po mundohen të këndellen nga fashizmi dhe populizmi.
Kurti tha se ky qëndrim i BE-së mund t’i dëmtojë gjasat e Kosovës për të arritur marrëveshje me Serbinë, e cila ka refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës që nga përfundimi i luftës së viteve 98-99 në kohën kur Beogradi ka më pak vullnet për të vepruar pa premtimin për anëtarësim në BE.
Në këtë intervistë Kurti paralajmëroi se taksa 100 për qind, e vënë ndaj mallrave të Serbisë nga paraardhësi i tij, do të largohet vetëm nëse ka masa të plota reciproke për lejimin e tregtisë së mallrave kosovare në Serbi. Ai tha se Beogradi gjithashtu duhet t’i japë fund fushatës diplomatike për t’i bindur shtetet që ta tërheqin njohjen e Kosovës. Kurti tha se është plotësisht kundër idesë për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, e cila u soll në tavolinë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi./Alsat/