Presidentja e vendit, Vjosa Osmani sot ka udhëtuar për në Kalabri të Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni.
Osmani është mirëpritur me këngë e lule nga arbëreshët e Italisë.
Këtë e bëri të ditur përmes një video incizimi vet presidentja Osmani, të publikuar në rrjetin social në Facebook.
Në video incizimin e publikuar shihen disa zonja duke kënduar një këngë arbëreshe, ndërkohë njëra nga to ia mban dorën presidentes Osmani, e cila në duar kishte dhe një buqetë me lule.
Ndryshe, në një ceremoni të veçantë, e cila do të organizohet në komunën e Frasnitës, presidentes do t’i ndahet çmimi “Gjergj Kastrioti”.
Gjatë qëndrimit në Kalabri, Osmani do të ketë takime të ndara me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, në Katanzaro, me kryetaren e Provincës së Kozencës, si dhe me kryetarët e komunave arbëreshë të këtij rajoni, me të cilët do të diskutojë mbi mundësitë e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit të vendit tonë me komunat arbëreshe të këtij rajonit.
Presidentja Osmani do ta ketë edhe një bashkëbisedim me studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Kalabrisë.
Në të gjitha këto takime, presidentja do ta shtrojë mundësinë e bashkëpunimit të Kosovës me komunat e Kalabrisë, në të cilat jetojnë arbëreshët, si dhe mundësitë që institucionet e Kosovës t’i ndihmojë ata për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor. Mbledhja e traditës gojore arbëreshe, si dhe regjistrimi i pasurisë gjuhësore, si pjesë e ruajtjes së identitetit të tyre, do të jenë në qendër të vëmendjes së vizitës së Presidentes Osmani.
Po ashtu, presidentja do të marrë pjesë në aktivitete të shumta të cilat e kanë në fokus traditën, ritet e kulturën arbëreshe.