Për Gjermaninë, fillimi i negociatave për anëtarësim në BE me Republikën e Maqedonisë së Veriut është dhe mbetet çështje thelbësore e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë. Në mbështetemi në atë, që Maqedonia e Veriut t’i intensifikojë reformat dhe t’i bindë të gjithë, të cilët ende do të kishin dyshim, se vendi i saj është në BE.
Kjo theksohet në kumtesën e Ambasadës së Gjermanisë në Shkup, pas takimit të liderëve të BE-së në Bruksel javën e kaluar, në të cilin nuk ishte sjellë vendim për fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën.
“Gjermania në mënyrë të veçantë është e lidhur me Ballkanin Perëndimor, jo vetëm politikisht, por edhe ekonomikisht dhe shoqërisht përmes shumë njerëzve nga ky rajon të cilët jetojnë te ne. Në interes të përbashkët evropian është që të integrohen shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Që kjo të ketë sukses, duhet të mbajmë premtimet tona, perspektivën evropiane të këtyre vendeve bashkë ta zbatojmë. Ky është parakushti më i mirë që të avancohen reformat dhe zhvillimi i shtetit juridik, ndërsa me këtë ky është edhe parakushti më i mirë për mirëqenie, stabilitet dhe siguri brenda në Evropë”, bëhet e ditur në kumtesë.
Nga Ambasada përkujtojnë se Bundestagu gjerman me vendimin e tij më 26 shtator të vitit 2019, e përmbushi këtë obligim.
“Pozicioni ynë nuk u ndryshua, dhe ai edhe më tutje duhet të shërbejë si impuls për mendimet e të tjerëve. Edhe ne jemi për atë, procesi i anëtarësimit në tërësi të jetë më transparent dhe më i mirë. Por, gjithashtu jemi të bindur, se ia vlen që t’i ofrohet perspektivë evropiane Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjermania edhe më tutje do ta mbështesë Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejtë BE-së, sikur e kemi bërë gjithmonë. Mbështetemi në atë, që Maqedonia e Veriut t’i intensifikojë reformat dhe me atë t’i bindë të gjithë, të cilët ende do të kishin dyshime, se vendi i saj është në BE!”, thuhet në kumtesën e Ambasadës gjermane./Alsat/