Ministria e Transportit dhe Lidhjeve në Maqedoninë e Veriut informoi opinionin se prej sot kanë filluar punimet për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10D.
“Nga sot fillojnë përgatitjet, xhirimi i terrenit, përgatitja e projekteve urbane, projektet themelore me qëllim që të fillohet me procedurat për eksproprijim dhe projektim. Paralelisht me këtë fillohet edhe me mobilizimin e personelit për punë, përgatitjen e lokacioneve për vendosjen e kampeve për operativën për ndërtim, analizë të trasesë dhe dislokimin e mundshëm të instalimeve mbi dhe nëntokësore”.
Edhe pse marrëveshja është nënshkruar dhe punimet po fillojnë, VMRO-DPMNE nuk heq dorë nga kritikat publike dhe kërkimin e përgjigjeve rreth projektit. Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickoski, e ka quajtur projekt turpi.
“Me vetëdije kanë pranuar që të paguajmë penale në miliona euro, para të këtij populli. Përse kanë pranuar që ndërtimet ilegale të eksproprijohen me çmim të njëjtë si objektet legale? Dhe me shumë “pse” në periudhën e ardhshëm do ta njoftojmë opinionin”.
Ndërtimi i korridorit 8 dhe 10D konsiderohet si projekti më i madh infrastrukturor në vend qysh prej pavarësimit të shtetit. Projekti kap vlerën e 1.3 miliardë Eurove kurse nga buxheti për këtë vit janë ndarë 243 milionë Euro.
Mes traseve më të rëndësishme të këtij projekti janë edhe rrugët Tetovë – Gostivar, dhe Trebenishtë – Strugë – Qafëthanë, rrugë që do ta përshpejtojnë lëvizjen e qytetarëve të asaj ana si dhe do e lehtësojnë dhe shpejtojnë lidhjen me Shqipërinë.