Avokati Naim Hasani tha se në Britaninë e Madhe kanë filluar hetimet në lidhje me çështjen e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj për të bërë më pas, nëse pala shqiptare dërgon provat e nevojshme deri në datën 5 maj, ekstradimin e të arrestuarve në Shqipëri.
Deri më tani janë arrestuar katër nga gjashtë personat e shpallur në kërkim si pjesëmarrës në vrasjen e Ardian Nikulajt në Shëngjin.
Fillimisht policia britanike kapi Edmond Haxhian, Stephen Hunt dhe Thomas Mithan. Më pas policia ra në gjurmët e Harriet Bridgeman, të cilës iu vendosën prangat.
“Procesi i ekstradimit në Britani është një proces i komplikuar sidomos me Shqipërinë ku çështje të ndryshme janë zvarritur më muaj dhe me vite nëpër gjykatat britanike, për arsye se gjykatat do të kërkojnë garanci që të akuzuarit, për vepra kaq të rënda, qofshin shtetas anglez, apo shtetas anglez me origjine shqiptare do kërkojnë garanci që të drejtat e tyre të mbrohen edhe të kenë një gjyq të drejtë”, tha avokati Naim Hasani.