Dyshime edhe për të pakënaqur të tjerë brenda grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka ngritur deputeti i përjashtuar nga ky grup, Haki Abazi.
Sipas tij ata janë të guximshëm të kundërshtojnë proceset brenda kësaj partie do ta pësojnë përjashtimin. Në ndërkohë, në këtë parti ka deputet që e konsiderojnë normale përjashtimin pasi që deputeti ka mendime të kundërta me LVV-në.
Tashmë të dy kanë zënë vendin e tyre të ri në Kuvendin e Kosovës. Deputetit të pakënaqur të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, iu bashkua tashmë edhe Haki Abazi i cili të mërkurën u përjashtua nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Nga vet ai supozohet që nuk mund të jetë i vetmi i pakënaqur në këtë grup parlamentar, sipas tij ka edhe të tjerë.
‘Nuk është Fatmir Humolli i vetëm, nuk është Haki Abazi i vetëm ka shumë të tjerë, disa janë paguxim e disa e lejojnë vetën të bëhen instrument i manipulimit siç ndodhi dje me z.Muzaqi’, ka thënë Abazi.
Kaq shumë i sigurt për të pakënaqur të tjerë nuk është deputeti tjetër i larguar, Fatmir Humolli.
‘Nuk mundem me i diskutu në këtë drejtim. Ka mundësi që me lëvizë, ka mundësi mos me lëvizë’, ka thënë Humolli.
Mirëpo, Enver Dugolli, largimin e deputetëve që nuk i përkasin të njejtës linjë në mendim po e konsideron proces demokratik.
‘Të gjitha mendimet e votimet i ka të kundërta me Lëvizjen Vetëvendosje prandaj është i natyrshëm edhe përjashtimi i tij’, ka thënë Dugolli.
Për këto pakënaqësi nëse është folur në mbledhjet e partisë, nuk dha detaje deputeti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
‘Nuk ka të bëjë me pakënaqësi sepse tu thuash të gjithë deputetëve që ka të bëjë me pakënaqësi nuk e besoj. E nëse janë diskutuar këto çështje në mbledhje tona, janë çështje të brendshme’, ka thënë ai.
Të martën shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se është vendosur unanimisht për përjashtimin e Haki Abazit dhe si rrjedhojë, atij i ndërrohet edhe ulësja në Kuvendin e Kosovës./RTVDukagjini