Një gjë dihet e sigurt tashmë, Lionel Mesi nuk do të jetë pjesë e Paris SG-së duke nisur nga sezoni i ardhshëm. Të paktën kështu bëjnë me dije nga Franca, teksa ndarja mes tij dhe klubit parisien është fakt.
Pezullimi i tij për 15 ditë dhe gjoba janë tregues se raportet nuk janë ato të ditëve të para.
Ndaj tani më së shumti në mediat ndërkombëtare ka nisur të flitet për të ardhmen e Mesit, që duket se është e ndarë mes tri kontinentesh.
Barcelona në Europë, Al-Hilali në Arabinë Saudite dhe Inter Majami në SHBA janë tri pretendentët kryesorë për të firmosur me argjentinasin.
Secili nga këto klube ka nga një arsye të fortë për të besuar se Mesi do të zgjedhë njërin apo tjetrin. Te Barcelona të gjithë janë të bindur për rikthimin dhe i besojnë dashurisë së Leos për këtë klub.
Tek Al-Hilali duan ta bindin me milionat e naftës, ndërsa në SHBA janë gati t’i sigurojnë një “pension” luksi.