Shqiptarët kryesuan listën e të larguarve forcërisht apo vullnetarisht nga Bashkimi Europian gjatë vitit të shkuar. Të dhënat nga Instituti Europian i Statistikave tregojnë se gjatë 2022-shit u kthyen në vend 9 mijë e 950 shqiptar. Lista ndiqet nga qytetarët nga Gjeorgjia dhe Siria.
“Ajo çfarë është e rëndësishme që të theksohet është që kjo rritje kishte mbetur deri diku konstante deri para pandemisë. Duhen kuptuar arsyet. Është mungesë informacioni nga ana e qytetarëve lidhur me mënyrën se si Schengen funksionon apo bëhet me vetëdije”, shprehet Nirvana Deliu, hulumtuese e politikave evropiane.
Të dhënat nga Eurostat tregojnë gjithashtu se 15 mijë e 630 qytetarëve nga Shqipëria iu refuzua hyrja në vendet e Bashkimit Europian. Lista kryesohet nga qytetarët nga Ukraina me 28 mijë e 890 të tillë.
Po çfarë rrezikon Shqipëria nga numri në rritje i qytetarëve që përpiqen të qëndrojnë në vendet europian enë mënyrë të parregullt? “Ndikon pikërisht në atë që u diskutua në 2017-n kur Holanda kërkoi pezullimin e vizave me Shqipërinë”, thotë Deliu.
Të dhënat nga Eurostat tregojnë se shqiptarët renditen të shtatët në botë për numrin më të lartë të emigrantëve që qëndrojnë në mënyrë të parregullt në një nga vendet e “unionit”.