Ambasadori amerikan në Afrikën e Jugut ka akuzuar shtetin afrikan se ka furnizuar me armë Rusinë, pavarësisht neutralitetit të deklaruar rreth luftës në Ukrainë.
Reuben Brigety pretendon se në dhjetor të vitit të kaluar një anije ruse ishte ngarkuar me municion dhe armë në Cape Town.
Presidenti Cyril Ramaphosa deklaroi se ishte i zhgënjyer me pretendimet. Vendi ka deklaruar disa herë se është neutral sa i përket pushtimit rus në Ukrainë, raporton bbc.
Brigety iu referua ankorimit të një anijeje mallrash në bazën detare të Simon’s Town midis 6 dhe 8 dhjetorit të vitit të kaluar, e cila ishte “i sigurt” se ngarkoi armë dhe municione “ndërsa kthehej në Rusi”.
“Armatosja e rusëve është jashtëzakonisht serioze dhe ne nuk e konsiderojmë këtë çështje të zgjidhur”, tha Brigety.
Në vazhdën e akuzave, qeveria e Afrikës së Jugut njoftoi ngritjen e një hetimi të pavarur të udhëhequr nga një gjyqtar në pension, tha një zëdhënës i zyrës së presidentit.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë kritike për muaj të tërë për marrëdhëniet e vazhdueshme komode të Afrikës së Jugut me Rusinë.