Për herë të parë në historinë e Lëvizjes, Diaspora për Shqipërinë e Lirë (DPSHL) përfshihet në procesin e zgjedhjeve vendore në Shqipëri si vëzhgues afatgjatë .
Me shpenzimet e tyre, anëtar të Lëvizjes janë kthyer në Shqipëri për të mbikqyrur nga afër zgjedhjet vendore të sotme me qëllimin që të ndihmojnë në garantimin e një procesi zgjedhor sa më demokratik, transparent dhe në përputhje me rregulloren zgjedhore.
Pjesëmarrja aktive e DPSHL-së në procesin zgjedhor si në terren ashtu edhe virtualisht reflekton angazhimin e fortë të Diasporës për të forcuar demokracinë Shqiptare.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë ta përdorin zërin e tyre duke votuar masivisht sot. Vota sjell ndryshim kur të gjithë sëbashku përcjellim një mesazh të unifikuar dhe të prerë kundra padrejtësive dhe abuzimeve që ndodhin rëndom çdo ditë në kurriz të qytetarëve.
Lëvizja “Diaspora për Shqipërine e Lirë” ka ndjekur me vëmendje e interes të veçantë fushatën zgjedhore në Shqipëri.
Me shqetësim është konstatuar një përkeqësim i vazhdueshëm i qeverisjes qëndrore të vendit dhe të shumë treguesve të tjerë të funksionimit të demokracisë në Shqipëri. Qeverisja në nivel vendor ka ndjekur të njejtin rrugëtim, me qytete të ndotura, sisteme jetësore (kopështe, shkolla, spitale etj.) të munguara apo në kushte skandaloze, modele drejtimi korruptive, shkatërrim të trashëgimisë kulturore dhe mungesë të elementeve bazë për t’i berë qytetet tona të jetueshëm për qytetarët.
Mungesa e llogaridhënies, përqëndrimi i të gjitha pushteteve në duart e një grushti njerëzish dhe niveli i papranueshëm i abuzimit me të drejtat e qytetarëve janë tashmë një realitet i hidhur për këdo që beson në parimet demokratike të funksionimit të një shteti. Disa nga bashkitë kryesore në vend, si ajo e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit janë kthyer në hambare elektorale të punësimit pa meritë, ku nuk mungon as depërtimi i krimit të organizuar apo fenomene negative si favorizimi i pastrimit të parave.
Tirana dhe Durrësi e gjejnë veten me identitet kulturor dhe trashëgimi qytetare të shpërfytyruar për shkak të betonizimit masiv, i cili nuk kursen asnjë vend, nga rrënojat antike deri tek historia e vonë, ku shemben barbarisht monumentet e kulturës si Teatri Kombëtar. Elbasani, dikur fanar i traditës qytetare, sot e gjen veten të dominuar nga falangat e krimit. Qytetarët gjithashtu janë dëshmitarë të cilësive të ish kryetarëve të bashkive si Vora, Bulqiza, Kavaja apo Dibra, ku njerëz të krimit u janë servirur qytetarëve për votim, si metodë poshtërimi ndaj tyre.
Diaspora për Shqipërinë e Lirë nuk pajtohet me menyrën si janë qeverisur qytetet nga kryetarët aktualë, nuk pajtohemi me vizionin e tyre të mbrapshtë, korrupsionin e lartë, kriminalitetin dhe tendencën e abuzimit me taksat e qytetarëve.
Për këtë arsye, ne mendojmë se largimi me votë i keq-qeverisjes aktuale vendore nëpërmjet zgjedhjeve te 14 Majit, do të ishte një ngjarje e mirëpritur, në dobi të vendit dhe mbi të gjitha në dobi të demokracisë së brishtë shqiptare.
Për këtë arsye, Lëvizja i bën thirrje shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që me datë 14 Maj të votojnë masivisht me synim objektivin e madh të rikthimit të qyteteve dhe demokracisë shqiptare në binarë institucionalë.
Shqipëria është e para!