CNN
Ministria e Jashtme e Kinës konfirmoi të enjten se i dërguari special i Pekinit, Li Hui u takua me Presidentin ukrainas, Volodomyr Zelensky dhe zyrtarë të tjerë të lartë ukrainas të mërkurën.
Në një deklaratë, ministria tha se Li përsëriti se Kina është e gatshme të shërbejë si ndërmjetëse e paqes për zgjidhjen e krizës ukrainase, në bazë të qëndrimeve të saj të deklaruara më parë për luftën.
“Nuk ka ilaç në zgjidhjen e krizës. Të gjitha palët duhet të fillojnë nga vetja, të krijojnë besim të ndërsjellë dhe të krijojnë kushte për t’i dhënë fund luftës dhe për t’u angazhuar në bisedimet e paqes“, tha Li.
Nga ana tjetwr, nw njw deklaratw, Kievi nuk përmendi takimin me Zelensky.
Në vend të kësaj, ai tha se Li u takua me ministrin e Jashtëm Dmytro Kuleba dhe diskutoi “çështjet aktuale të bashkëpunimit midis Ukrainës dhe Kinës”, si dhe “mënyrat për të ndaluar agresionin rus”.
Javën e kaluar, Ministria e Jashtme e Kinës njoftoi se Li do të vizitojë Ukrainën, Poloninë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë duke filluar nga 15 maji, vetëm disa ditë përpara se liderët e Grupit të Shtatë (G7) pritet të afirmojnë solidaritetin e tyre kundër Moskës në një samit në Hiroshima, Japoni.
Kina është përpjekur të tregohet si ndërmjetëse e paqes dhe të shmangë kritikat se nuk ka vepruar për të ndihmuar në përfundimin e luftës së Rusisë në Ukrainë, më shumë se një vit pasi Moska pushtoi fqinjin e saj perëndimor.