Rishi Sunak ka thënë se ai “nuk është i shqetësuar” nga kritikat e laburistëve ndaj marrëveshjeve tatimore të familjes së tij të pasur dhe mendon se Mbretëria e Bashkuar “ka lëvizur përtej gjykimit” të njerëzve për paratë e tyre, pasi një vlerësim i ri tha se pasuria e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar kishte rënë në rreth 500 milionë funte.
Sunak, i cili është kryeministri më i pasur britanik ndonjëherë për shkak të aksioneve të gruas së tij, ka shtuar se nuk i kushtoi vëmendje sulmeve personale të laburistëve ndaj financave të tij.
Lista e re e të pasurve të “Sunday Times” vlerësoi se pasuria e familjes së tij kishte rënë me 200 milionë funte vitin e kaluar për shkak të rënies së çmimit të aksioneve të gruas së tij, raportoi Guardian.
Gruaja e tij, Akshata Murty, zotëron aksione të vogla në Infosys, një firmë indiane TI-së prej 64 miliardë dollarësh e bashkëthemeluar nga babai i saj miliarder.
Megjithatë, Sunak tha se njerëzit nuk shqetësoheshin nga pasuria e tij kur gazetarët e pyetën nëse ai mërzitet nga sulmet personale ndaj familjes së tij.
Laburistët kanë akuzuar Sunakun se nuk ka lidhje me njerëzit e zakonshëm për shkak të pasurisë së tij familjare.
“Mendoj se kemi lëvizur përtej paragjykimit të njerëzve sipas asaj që kanë në llogarinë e tyre bankare”.
“Mendoj se në vendin tonë, i gjykojmë njerëzit jo nga llogaria e tyre bankare, i gjykojmë në bazë të karakterit dhe veprimeve të tyre. Dhe po, jam me fat që jam në situatën që jam sot, por nuk kam lindur kështu”, ka thënë Sunak. /KOHA.net