I buzëqeshur teksa largohej nga spitali ‘San Raffaele’ në Milano, ish-Kryeministri italian Silvio Berlusconi ka lënë pas 45 ditësh trajtimin intensiv teksa u diagnostikua me leuçemi kronike dhe infeksion në mushkëri.
“Të dashur miq, sot, pas 45 ditësh të gjata, më në fund u ktheva në shtëpi dhe kthimi im ka ngrohur zemrat e familjes sonë të madhe. Një emocion i pabesueshëm, një lehtësim i madh. Ishte një periudhë e mundimshme dhe e vështirë, por pas errësirës fitova përsëri”.
Kështu u shpreh kreu i Forza Italia, Silvio Berlusconi.
“Ne do t’ju presim për të luftuar shumë beteja së bashku”, shkroi në Twitter Kryeministrja Giorgia Meloni.
“Ne jemi të gjithë të lumtur që jeni kthyer në shtëpi, mirë se erdhe President”, tha ministri i Jashtëm Antonio Tajani, anëtari më i vjetër i Forza Italia.
Berlusconi, 86 vjeç, u shtrua me urgjencë në spital më 5 Prill dhe qëndroi në kujdesin intensiv për më shumë se 10 ditë, duke shkaktuar spekulime se jeta e tij mund të jetë në rrezik. Pas ekzaminimeve dhe trajtimeve rutinë, 86-vjeçari rezultoi gjithashtu edhe me probleme në frymëmarrje për shkak të pneumonisë dhe u vendos në terapi intensive.
Berlusconi shërbeu si Kryeministër në vitet 1994-1995, 2001-2006 dhe 2008-2011. Mandati i tij i fundit në detyrë përfundoi me një dorëheqje, pasi Italia ishte në prag të falimentimit financiar dhe Berlusconi u përfshi në skandalin famëkeq seksual “bunga bunga”, për të cilën u lirua më vonë nga akuzat.
Në vitet e fundit, shëndeti i Berlusconit u përkeqësua dukshëm. Në Qershor 2016 ai kreu një operacion në zemër për shkak të bllokimit të një aorte, në Prill të 2019 ai u shtrua sërish në spital për shkak të dhimbjeve të rënda të barkut që e bëri atë të humbasë prezantimin e kandidatëve të Forza Italia, në 2020 ai rezultoi me Covid-19 që iu kthye në pneumoni dhe në Janar të 2022 ai pati një infeksion të rëndë urinar.
Gjatë shtrimit të tij të fundit në spital, Berlusconi ishte aktiv, duke u shfaqur në dy video-mesazhe, duke këmbëngulur se ishte gati të kthehej në punë.