Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka propozuar James O’Brien për postin e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.
Njoftimi u bë nga Shtëpia e Bardhë ku tha se “O’Brien ka shërbyer në dy administrata amerikane si i dërguar special presidencial. Gjatë karrierës së tij në Departamentin e Shtetit, ai ka udhëhequr një program të madh dhe të suksesshëm sanksionesh dhe ka këshilluar për një sërë çështjesh, duke përfshirë negociatat e paqes në Evropë, marrëveshjet shkencore dhe mjedisore dhe iniciativat për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat përgjegjës për krimet e luftës”.
O’Brien ka qenë edhe i Dërguar Presidencial për Ballkanin dhe ka shërbyer si Këshilltar i Lartë i ish-Sekretares Madeleine Albright.
James O’Brien është aktualisht Shefi i Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve, me gradën Ambasador në Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe anëtar i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe ka studiuar frëngjisht dhe rusisht.