Një peshkatar kapi një ‘bishë’ ujore të pazakontë në juglindje të Teksasit, duke vendosur një rekord të ri, sipas zyrtarëve.
I riu kapi të ashtuquajturin aligator gar, i cili është një nga peshqit më të mëdhenj të ujërave të ëmbla në Amerikën e Veriut.
Emrin e ka marrë sepse i ngjan aligatorit për shkak të kokës me majë dhe dhëmbëve të mprehtë. Ata shpesh quhen “fosile të gjalla”, sepse përmbajnë disa karakteristika morfologjike të paraardhësve të tyre nga miliona vjet më parë.
Një aligator gar prej 94 kilogramësh i nxjerrë nga liqeni Corpus Christi, është më i madhi që liqeni ka parë ndonjëherë, njoftoi Departamenti shtetëror i Parqeve dhe Kafshëve të Egra.
Zyrtarët ndanë një fotografi të një peshku më të gjatë se një person i shtrirë në breg pranë tij. Sipas zyrtarëve, aligatori gar u lirua pasi u bë fotografia.
“Shumë të lumtur që e lanë bishën e vjetër të luftojë përsëri. Nuk do të notojë më në këtë liqen”, shkroi një përdorues.
Edhe pse ka një emër dhe pamje të frikshme, aligatori gar, megjithatë, sipas mediave vendase, nuk përbën kërcënim për njerëzit dhe nuk ka raste të konfirmuara që të sulmojë njerëzit.
Shumë kanë pyetur veten se sa vjeç mund të jetë një krijesë si kjo. Është e vështirë të thuhet me siguri, por aligatori 2.13 metra i gjatë duhet të jetë rreth 40 vjeç, sipas TPVD.
Dihet se ato rriten deri në dy metra e gjysmë, duke arritur një peshë prej 135 kilogramësh. Aligatori gar më i madh i njohur, i kapur në vitin 2011 në Misisipi, peshonte 148 kilogramë dhe vlerësohej të ishte të paktën 95 vjeç. Rekordi i Teksasit ka qenë në fuqi që nga viti 1953, kur një peshkatar kapi një gar prej 137 kilogramësh.