Ndonëse nën kushte të papërshtatshme atmosferike, mijëra serbë u mblodhën në Beograd në protestën e thirrur nga presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili prej disa javësh është vënë në fokusin e sulmeve të opozitës.
Masakrat e fundit me armë zjarri, ku humbën jetën 18 persona, kanë bërë që opozita të drejtojë gishtin nga presidenti Vuçiç si përgjegjës për gjuhën e dhunës që shpërndan.
Në fillim të majit një nxënës shkollë vrau 9 fëmijë dhe një roje sigurie, teksa një ditë më vonë një 21 vjeçar ekzekutoi 8 persona të tjerë në rrethinat e Beogradit.
Qeveria i mohon pretendimet e ngritura së fundmi nga opozita, duke e akuzuar atë se po përdor këto tragjedi të dhimbshme për motive politike.