Turqit votojnë të dielën për një balotazh të rëndësishëm presidencial, ku do të vendosin nëse Rexhep Tajip Erdogan, do të jetë apo jo në pushtet pas 20 vjetësh.
Kundërshtari i tij, Kemal Kilicdaroglu, i mbështetur nga një aleancë e gjerë opozitare, e ka përcaktuar votimin si një referendum mbi drejtimin e ardhshëm të Turqisë.
Presidenti, i cili është favorit për të fituar, premton një epokë të re që bashkon vendin rreth një “shekulli turk”. Por çështja më urgjente është inflacioni i shfrenuar dhe kriza e kostos së jetesës. Qendrat e votimit hapen në orën 08:00 (05:00 GMT) dhe mbyllen në orën 17:00 (14:00 GMT).
Votimi nga emigrantët, i zhvilluar në mbarë botën, tashmë ka përfunduar. Pjesëmarrja në raundin e parë ishte 88.8% dhe epërsia e zotit Erdogan ishte 2.5 milionë vota. Kjo është arsyeja pse të dy kandidatët e kanë syrin tek tetë milionë turqit që nuk votuan.
Përpara balotazhit, Kilicdaroglu akuzoi rivalin e tij për lojë të ndyrë, duke bllokuar mesazhet e tij me tekst për votuesit ndërsa mesazhet e presidentit kalonin.
Partitë opozitare po dërgojnë një ushtri vullnetarësh në përpjekje për të siguruar që të mos ketë manipulime votash. Vëzhguesit ndërkombëtarë folën për një fushë loje të pabarabartë pas raundit të parë.
Por nuk ishte vërejtur ndonjë parregullsi në votim, që do të mund të kishte ndryshuar rezultatin. Kilicdaroglu premtoi një stil shumë të ndryshëm të presidencës në ditën e tij të fundit të fushatës:
“Unë nuk kam asnjë interes të jetoj në pallate. Unë do të jetoj si ju, me modesti… dhe do t’i zgjidh problemet tuaja.”
Ishte një goditje për kompleksin gjigant të pallatit të zotit Erdogan në skaj të Ankarasë ku ai u zhvendos pasi iku si kryeministër dhe u bë president në vitin 2014.
Pasi i mbijetoi një grusht shteti të dështuar në vitin 2016, ai mori pushtete të gjera, arrestoi dhjetëra mijëra njerëz dhe mori kontrollin e medias.
“Epoka e grushteve të shtetit dhe juntave ka përfunduar,”- deklaroi ai, duke e lidhur stabilitetin aktual të Turqisë me sundimin e tij autoritar.
Turqia, megjithatë, është thellësisht e polarizuar, me presidentin që mbështetet në një bazë mbështetëse të konservatorëve fetarë dhe nacionalistëve, ndërsa mbështetësit e kundërshtarit të tij janë kryesisht laikë, por shumë prej tyre janë gjithashtu nacionalistë.
Për ditë të tëra të dy burrat kanë shkëmbyer fyerje. Z. Kilicdaroglu e akuzoi presidentin për frikacak dhe fshehje nga një zgjedhje e ndershme. Erdogan tha se rivali i tij ishte në anën e “terroristëve”, duke iu referuar militantëve kurdë.
Pas ditësh retorikë nxitëse për dërgimin e miliona refugjatëve sirianë në shtëpi, kandidati i opozitës iu kthye çështjes numër një të Turqisë – krizës ekonomike, dhe veçanërisht efektit të saj në familjet më të varfra.
Kushdo që fiton të dielën, parlamenti i Turqisë është tashmë i vendosur nën kontrollin e Partisë AK të Erdoganit me rrënjë islamike dhe aleatit të saj nacionalist të ekstremit të djathtë, MHP. BBC