Presioni i shtuar ndërkombëtar si pasojë e situatës së krijuar në veri të vendit, mund të çojë deri në dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, apo edhe shkarkimit të tij.
Kështu ka deklaruar në “Debat Plus”, analisti politik, Ylli Hoxha, i cili po ashtu tha se ekziston edhe mundësia që Kurti t’i përgjgjet pozitivisht kërkesave të ShBA-së.
“Një qeveri që përballet me një antagonizëm të tillë nga ShBA-të e ka vështirë të mbijetojë. Ose do të detyrohet t’i përgjigjet kërkesave që janë shtruar nga ambasadori, ose do të përballet me presion të shtuar nga ndërkombëtarët që do të rezultojë me dorëheqje ose shkarkim, apo zgjedhje të reja”.
“Mendoj që nëse ka pasur qëllim ta shkundë sistemin ndërkombëtar për ta kuptuar që kemi ngecje, mendoj që ia ka dalë, e ka shpërfaqur problemin”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kurti ka pasur të drejtë në vendimet e tij për veriun, por është vështirë të mbijetojë një qeveri pa mbështetjen e ShBA-së.
“Kurti ka vendosur ta sfidojë gjendjen tonë e status-quos. Vendimi që e ka marrë nuk është i padrejtë, as i palogjikshëm, asgjë e madhe që ka ndodhur. Me hy kryetari i një komune në një institucion komunal nuk do të duhej ta shkaktonte këtë krizë. Kjo krizë shkaktohet nga marrëdhëniet e shthurura që i kemi paluar që sa e sa vjet. Partnerët nuk e thonë një gjë të qartë, veriu i Kosovës nuk qenka i njëjtë sikurse pjesa tjetër e Kosovës”, ka thënë ai.
Ai ritheksoi se nëse vazhdon kështu situata në Kosovë mund të ketë zgjedhje. /Dukagjini/