Situata e tensionuar në veri dëmton më së shumti Kosovën, kështu u shpreh ish-zv.ministri i Jashtëm i Kosovës, Anton Berisha për shkak se gjithçka po ndodh në territorin e tyre. Në një intervistë në RTSH 24, Berisha tha se nevojitet që Kosova të shohë veten në raport me ngjarjen, ndërsa vendimet e marra nga kryeministri Albin Kurti i konsideroi “të papërgjegjshme”.
“Situata në veri është përkeqësuar dhe është një situatë e keqe për Kosëovën sepse ndodh në territorin e Kosovës dhe një raport i tensionuar pas Marrëveshjes së Ohrit. Kosova duhet ta shohë veten në raport me ngjarjen dhe është me shumë pak rëndësi nëse fajin e kanë serbët apo faktorë të tjerë atje. Ne e kemi ditur rolin e Serbisë në shekuj dhe nuk presim gjë të mirë prej tyre, por duhej të ishim të kujdesshëm sepse ngjarja ka ndodhur në shtetin tonë dhe qytetarët serb atje janë qytetarë të shtetit tonë. Ka një proces dialogu ku edhe vetë Kosova po dhe kryeministri Kurti ka marrë përgjegjësitë ka pranuar marrëveshjen dhe duhet që në raport me bashkësinë ndërkombëtare të bëjë konsultimet e duhura para se të ndërmarrë veprime konkrete në raport me ngjarjet atje. Kurti një kryeministër i papërgjegjshëm që nuk ka arritur të realizojë asnjë nga premtimet e tij, siç ishte se nuk do negociojnë me Serbinë dhe Vuçiç”, u shpreh Berisha.
Sipas ish-zëvendës ministrit, Kosova tashmë është identifikuar si fajtore e ngjarjeve në opinionin ndërkombëtar, ndërsa theksoi se kjo do të ndikojë edhe në procesin e dialogut me Serbinë.
“Qeveria e Kosovës është identifikuar tashmë si fajtore e ngjarjeve dhe kjo është një situatë ku Kosova vetëm mund të humbë. Kosova as në kuptimin ushtarak, as ekonomik as nacional nuk paraqet fuqi që mund t’i diktojë rrethanat dhe procesi i dialogut me Serbinë është një konsensus ndërkombëtar dhe Kosova nuk ka asnjë alternativë tjetër të rregullimit të çështjes së saj. Kurti në njërën anë ka pranuar marrëveshjen e Ohrit që nënkupton dhe asociacionin dhe nga ana tjetër provokon kriza duke luajtur lojën që të heqë fajin nga vetja dh eta paraqesë si diçka që po i imponohet nga ndërkombëtarët”, deklaroi Berisha.
Për vendosjen e ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, Berisha u shpreh se janë veprime që duhen parë me kujdes, teksa theksoi se nga ana e Kosovës nuk duhet të jepet shkas për acarim të situatës.
“Vendosja e ushtrisë afër kufirtit duhet parë me kujdes. Ne e dimë çfarë qasje kanë ata ndaj shqiptarëve të Kosovës. Duhet të mos jepet shkas për acarim të situatës”, tha Berisha