Lista Serbe ka kërkuar KFOR-it, që të mos lejojë policinë e Kosovës të qarkullojë në rrugët e komunës së Zveçanit. Kërkesa vjen pasi një automjet i Policisë së Kosovës, duke provuar të qarkullojë nga stacioni i policisë në Zveçan, në drejtim të Mitrovicës, është sulmuar me gurë dhe i janë thyer xhamat.
“Arsyeja pse erdhëm tek ju tani, është se nëse keni forcë që ushtarët tuaj të jenë në këto kryqëzime, që të mos ketë kontakt mes policisë dhe qytetarëve. Unë jam duke luftuar këtu gjithë ditën, qytetarët dhe të gjithë ne, për të ruajtur qetësinë këtu me çdo kusht. Por nëse nuk i mbyllni këto rrugë këto kryqëzime, këtu do të kemi trazira nëse vijnë sërish njësitë special të Kosovës. Do të thotë shumë nëse do të bënit një plan taktik, për të mbyllur këto kryqëzime që të mos kemi konflikte, prandaj ju thirrëm”, thanë përfaqësuesit e Listës Serbe.
Përfaqësuesi i KFOR-it nuk ka mundur të garantojë një gjë të tillë, duke thënë se edhe policët kanë nevojë të lëvizin nganjëherë sipas planit të tyre operativ, sipas Kosova Press.
Sipas përfaqësuesve të Listës Serbe, ushtarët e KFOR-it duhet të jenë e vetmja forcë e armatosur në veri.
Protesta e së mërkurës në Zveçan është përcjellë me tensione ku ka pasur provokime nga protestuesit drejtim të KFOR-it.