Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi të shtunën se organet e sigurisë i kanë identifikuar edhe 28 persona të cilët kanë marrë pjesë në protestat e mbajtura në veri të vendit.
Teksa ka vizituar punimet në segmentin e rrugës Plavë-Sharr, Kurti në një deklarim për media tha se të njëjtit kanë marrë pjesë në organizim, orkestrim e nganjëherë edhe aktivisht në sulme të dhunshme kundër ushtarëve të NATO-s, policëve të Kosovës dhe gazetarëve.
“Ndërsa, sa i përket atyre emrave që i kam përmendur në seancën plenare të Kuvendit të Republikës, i kam përmendur 5 që janë arrestuar dhe organet tona të sigurisë i kanë identifikuar edhe 28 të tjerë, të cilët kanë marrë pjesë në organizim, orkestrim e nganjëherë edhe aktivisht në sulme të dhunshme kundër ushtarëve të NATO-s, kundër policëve të Kosovës dhe kundër juve gazetarëve, siç mund ta keni parë edhe vet”, u shpreh kreu i ekzekutivit kosovar.
Tutje, Kurti tha se është sundimi i ligjit dhe proceset e drejtësisë ato të cilat do ta vërtetojnë gjithçka.
“Mirëpo ne videot, fotografitë i kemi pa që të gjithë. Nuk jetojmë në shekullin e XIX, që mos të dihet çka ka ndodh në një vend tjetër. Në kohë reale është përcjellur një dhunë brutale e elementeve ekstremistë të cilët edhe dirigjohen, edhe paguhen nga Beogradi zyrtar”.
“Dhe Lista Serbe kur i ka braktisur institucionet me datën 5 nëntor të vitit të kaluar e ka bërë gabimin kardinal. Pastaj e kanë pasur me gabimin e dytë që i kanë bojkotuar zgjedhjet, pastaj kanë thirrur të tjerët për bojkot të zgjedhjeve dhe për këto gabime të njëpasnjëshme që janë pasojë e qëllimeve të gabuara duhet të paguajnë ata, jo Republika jonë”, përfundoi ai.