Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se Moska kërkon të krijojë botën Ruse, ndërsa Beogradi synon të krijojë ‘Botën Serbe’. Në këtë mënyrë, sipas Kurtit, Rusia është e interesuar për destabilizimin e Ballkanit dhe si mjet për të arritur këtë qëllim, sipas kryeministrit të Kosovës, Moska po përdor Serbinë.
Duke folur në një intervistë për “The Geopost”, Kurti vuri në dukje se Serbia është e gatshme që të ‘sulmojë’ fqinjët rreth saj, herë Bosnje Hercegovinën, herë Malin e Zi e herë Kosovën për të shmangur vëmendjen nga kriza e brendshme.
“Nuk është e çuditshme, sepse përderisa Kremlini synon realizimin e botës Ruse apo „Ruski Mir“ (Paqja ruse), Serbia, Beogradi synon të realizojë Botën Serbe, që është një emërtim tjetër, një eufemizëm për Serbinë e madhe”, ka theksuar Kurti.
Kurti ka përmendur emërimin e Aleksandar Vulinit, njeriut më pro-rus në skenën politike në Serbi.
“Pra, ai që dikur ishte nënkryetar i partisë “Jul”, të cilën e udhëhiqte gruaja e Millosheviçit, Mira Markoviç, sot udhëheq me shërbimin sekret dhe ai lavdërohet që është shpikësi i termit “Bota Serbe”, pra, marrëveshja me Kremlinin për politikë të jashtme në Nju Jork në shtator dhe më pastaj në dhjetor, emërimi dhe udhëheqja e BiA-s serbe nga Aleksandër Vulin, na kanë treguar qartë se Serbia, jo vetëm që nuk po ndryshon drejtim, por përkundrazi po intensifikon aktivitetin dhe funksionimin e saj në drejtimin e vjetër ku e konsiderojnë Federatën Ruse aleatin dhe partnerin kryesor”, u shpreh ai.
Intervista e plotë:
TheGeopost: Agresioni rus në Ukrainë filloi një vit më parë, sa ka ndryshuar mozaiku Ballkanik prej fillimit të këtij agresioni dhe reflektimi i kësaj lufte në Ballkan?
KURTI: Gjashtë shtetet të cilat janë në Ballkanin Perëndimor ende të paintegruara në Bashkimin Evropian, që të gjitha këto janë vënë para provës më të rëndësishme, pikërisht që prej 24 Shkurtit të vitit të kaluar kur ndodhi agresioni dhe pushtimi i pajustifikueshëm i Rusisë ndaj Ukrainës. Në këtë provë u pa qartë se 4 shtete, qartazi ishin dhe janë kundër Federatës Ruse dhe janë pro luftës çlirimtare të Ukrainës, fitorja e së cilës do të sillte paqen, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Mali i Zi, kurse Serbia nuk vendosi sanksione, nuk e dënoi agresionin. Këtë gjë ia kushtëzoi edhe Bosnje Hercegovinës për shkak se me Republikën Serbe aty ka të drejtën e vetos dhe e kontrollon praktikisht politikën e jashtme, ndonëse boshnjakët dhe kroatët janë për t’i vendosur sanksione Federatës Ruse, por është pikërisht Republika Serbe që është krijesë gjenocidale, e cila e pamundësoi një gjë të tillë.
Nuk është e çuditshme, sepse përderisa Kremlini synon realizimin e botës Ruse apo “Ruski Mir“ (Paqja ruse), Serbia, Beogradi synon të realizojë Botën Serbe, që është një emërtim tjetër, një eufemizëm për Serbinë e madhe.
Në shekullin 20, Jugosllavia është krijuar si platformë për Serbinë e madhe, dhe në fund të shekullit 20, Jugosllavia është shkatërruar si platformë për Serbinë e Madhe. Shkatërrimi i Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, ndonëse nuk ishin të ngjashëm në karakter, sepse ai i Bashkimit Sovjetik u bë përgjithësisht në mënyrë paqësore, për dallim prej Jugosllavisë, pasoja dhe rezultati janë shumë të ngjashëm, atje e kemi Federatën Ruse me shtetet satelite rrotull ose pseudo-shtetet, si Bjellorusia, Krimea e Donbasi, Transn-Dniester në Moldavi, pastaj është Osetia Jugore e Abkhazia e kështu me radhë. Edhe këtu në rajonin tonë, shkatërrimi i Jugosllavisë e solli Serbinë në qendër me tentakulet e saj, Republika Serbe në Bosnje, partitë pro-serbe në Mal të Zi, posaçërisht Fronti Demokratik, strukturat ilegale paralele në veriun e Kosovës dhe kisha Ortodokse serbe gjithandej edhe me ndikim të konsiderueshëm në Maqedoninë e Veriut. Pra, shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik e solli një oktapod të madh që në qendër e ka Federatën Ruse, ndërsa shkatërrimi i Jugosllavisë e solli një oktapod të vogël, meqenëse ka gjysmën e tentakulave dhe është më i vogël se sa oktapodi mëmë. Dhe kjo e vërtetë që është historike dhe kulturore doli në pah si asnjëherë më parë, pikërisht pas invazionit rus dhe agresionit ushtarak në Ukrainë, pra nuk është që kemi kuptuar diçka të re ose kemi mësuar diçka të re, por ajo që ishte aty u bë e njohur për secilin.
TheGeopost: Pas agresionit rus në Ukrainë dhe kësaj lufte që po zhvillohet, të gjithë menduan se Serbia do të pozicionohej pro perëndimit, do të thotë, t’ia kthejë shpinën Rusisë. Ku është sot Serbia, a ka gjasa kjo të ndodhë?
KURTI: E mbaj mend shumë mirë muajin mars të vitit të kaluar kur neve në Kosovë na thoshin, ju lutem, mbase kursejeni Serbinë, Beogradin, presidentin nga retorika e kritikës së ashpër, për shkak se pas datës 3 Prill, kur do të mbahen zgjedhjet e Serbisë ata do ta ndryshojnë orientimin dhe do të jenë tërësisht të drejtuar kah perëndimi. Nuk ndodhi, pra duhet t’i nxjerrim disa mësime, pritjet që kanë ekzistuar ndaj presidentit aktual nga ana e perëndimit nuk janë realizuar, kujt ia kishte marrë mendja kur ka ndodhur invazioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë që bëhen 1 vit e 4 muaj edhe ende Serbia mbetet shteti i vetëm në Evropë që nuk i vendos sanksione Rusisë, përkundrazi, në vitin e kaluar, ata në shtator në margjinat e samitit të Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të jashtme të Serbisë, Selakoviç asokohe, dhe ai i Rusisë Lavrov bëjnë marrëveshje për koordinim në politikën e jashtme.
Pra, kur u bë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si çdo vit në fund të shtatorit, ata, truallin Amerikan e shfrytëzuan për një marrëveshje koordinuese Beograd – Moskë. Jo vetëm që nuk i vunë sanksione, por përkundrazi e bënë edhe këtë. Dhe le të mos harrojmë që ka pasur edhe një element tjetër shumë negativ nga Serbia, e ai është në fund të vitit të kaluar, emërimi i Aleksandër Vulinit, njeriut më pro-rus në skenën politike në Serbi si shef të inteligjencës dhe shërbimit sekret serb BiA.
Pra, ai që dikur ishte nënkryetar i partisë “Jul”, të cilën e udhëhiqte gruaja e Millosheviçit, Mira Markoviç, sot udhëheq me shërbimin sekret dhe ai lavdërohet që është shpikësi i termit “Bota Serbe”, pra, marrëveshja me Kremlinin për politikë të jashtme në Nju Jork në shtator dhe më pastaj në dhjetor, emërimi dhe udhëheqja e BiA-s serbe nga Aleksandër Vulin, na kanë treguar qartë se Serbia, jo vetëm që nuk po ndryshon drejtim, por përkundrazi po intensifikon aktivitetin dhe funksionimin e saj në drejtimin e vjetër ku e konsiderojnë Federatën Ruse aleatin dhe partnerin kryesor.
Thegeopost: Me këtë Serbi pro-ruse, ku gjendet Kosova me luftën hibride që po ndodh, a ka koordinim rajonal dhe sa duhet të jetë ky koordinim për t’iu kundërvënë kësaj lufte hibride?
KURTI: Gjatë viteve të fundit edhe në media edhe në politikë, por edhe në botën akademike është diskutuar shumë për luftën hibride duke menduar se lufta hibride është zëvendësim për luftën, mirëpo pushtimi rus në Ukrainë tregoi që lufta hibride nuk është zëvendësim për luftën, është fazë përgatitore për luftën dhe varet prej nesh sa suksesshëm përballemi me luftën hibride në mënyrë që të mos ketë luftë.
Sot, në rajonin e Ballkanit, Sputnik-u e ka qendrën në Beograd. Qysh nga prilli i vitit 2012, në Nish është e ashtuquajtura “Qendra Humanitare Ruse” me dhjetëra agjentë e spiunë të cilët pikërisht janë bartës të kësaj lufte hibride.
Pra, lufta hibride në Ballkanin Perëndimor e ka qendrën e vet e kjo është Serbia, përkatësisht Beogradi dhe Nishi. Qendra humanitare ruse në Nish nuk është mbyllur dhe përkundër thirrjeve nga Perëndimi ajo vazhdon të jetë gjithnjë e më aktive, në anën tjetër ambasadori Rus në Beograd, Aleksander Bocan Harçenko organizon për çdo javë pritje për studentët në Beograd, për intelektualët, për gazetarët dhe në këtë mënyrë i mbush me narrativën Ruse për gjeopolitikën, për historinë e kështu me radhë, sepse lufta hibride nuk ka të bëjë vetëm me lajmet e rrejshme, ka të bëjë me historinë e rrejshme, pra dëshirojnë ta bëjnë një revizion të historisë me ku interpretimin e së kaluarës ta bëjnë ata në mënyrë speciale, sepse lajmet e rrejshme edhe kalojnë, por narrativat e rrejshme për historitë e popujve të luftërave e të paqes janë tejet problematike sepse ato janë porsi librat e historisë që mësojnë gjeneratat e reja dhe në këtë mënyrë i ndërsejnë për luftëra të reja.
Ne në Kosovë jemi në komunikim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë perëndimorë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar, sidomos me NATO-n, NATO-ja është platforma me të cilën ne më së shumti bashkëpunojmë edhe bashkërendohemi për ballafaqimin me luftën hibride.
Por, lufta hibride propagandohet nga Serbia sepse Serbia është me Rusinë, pra lufta hibride nuk është e rastësishme që lançohet nga një vend i cili 56% të industrisë së vet të naftës ia ka dhënë GASPROMIT, 51% të aksioneve në bazenin e gazit në Banatski Dvor në Vojvodinë që është më i madhi në Evropën Juglindore po ashtu ia ka dhënë GASPROMT, ia ka hapur rrugën edhe i kanë selitë e tyre përfaqësuese Lukoil, Rosatomi, Roskosmosi, VTB Banka, Sberbank e kështu me radhë dhe nuk bën gjithashtu të harrojmë ushtrimet e përbashkëta ushtarake, kanë qenë vetëm 2 në 2012-tën midis Serbisë edhe Rusisë ndërkaq në vitin 2021 kanë qenë 104. Prej 2 në 104 për më pak se një dekadë.
Ajo çka ka ndodhur sot, ka qenë e përgatitur me vite të tëra dhe tashmë duhet të jemi shumë vigjilent, shumë të kujdesshëm, por në të njëjtën kohë shumë të bashkuar edhe të fortë. Duhet të flasim qartë dhe në mënyrë të vendosur, duhet të veprojmë të jemi aktiv sepse çfarëdo tolerimi, çfarëdo bujarie nga ana jonë do të perceptohet nga autokratët verilindor, verilindja e vendit tonë është Serbia, shteti fqinj i yni i cili nuk na njeh, verilindja e kontinentit evropian, Bashkimit Evropian është Rusia, e cila po ashtu e Lufton Bashkimin Evropian, pra ka një ngjashmëri të raportit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Bashkimit Evropian dhe Federatës Ruse.
Pra, këto janë arsyet pse lufta hibride e ka gjenezën në Serbi dhe po ashtu unë do ta kisha theksuar me këtë rast edhe aspektin historik, meqenëse në vitin 1999 kur ne jemi çliruar, me 9 qershor është bërë Marrëveshja e Kumanovës, ku gjenerali serb Svetozar Marjanoviç e nënshkruan kapitullimin ndaj gjeneralit britanik Michael Jackson, dhe me datën 10 qershor është Rezoluta 1244, me datën 12 qershor duhej të vinin trupat e NATO-s në Kosovë, me datën 20 qershor të largohet edhe ushtari i fundit serb.
Por në mbrëmjen e 11 qershorit, një oficer i ri rus i quajtur Yunus-bek Yevkurov, që vinte nga Osetia Veriore dhe kishte marrë pjesë në luftëra edhe në Osetinë Jugore apo Azinë, më vonë do të marrë pjesë edhe në Çeçeni më herët, është ky ai i cili i sjell 206 ushtarë rusë prej Bosnje dhe Hercegovinës, me 30 automjete të blinduara, nëpër rrugën “Nëna Terezë” këtu në Prishtinë edhe shkojnë në Aeroportin e Prishtinës që të mbërrijnë para se të hyjë NATO-ja dhe aty mandej ka qenë gati një ballafaqim midis trupave britanike të NATO-s në njërën anë edhe trupave ruse nën udhëheqjen e Yunus-bek Yevkurov në anën tjetër ku kompromisi që është arritur ka qenë që Rusia të mos ketë një zonë operative në Kosovë sikur që e kishte ta zëmë Gjermania me qendër në Prizren, Italia me qendër në Pejë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës Ferizaj, Gjilan, Prishtina Britania e Madhe ndërkaq Mitrovica Franca, pra siç i kishin këto shtete zonat operative që i mbulonin, Rusia u zmbraps, nuk do ta kishte një të tillë, mirëpo numri i ushtarëve të saj rritet deri në 650. Vitin 2003 në protestat e shqiptarëve, dëbohen edhe ushtarët e fundit rusë. Pse po e përmendi këtë rast, po e përmendi këtë rast se dy muaj më vonë Putin vjen në pushtet në Moskë, në gusht të vitit 1999.
Më 17 qershor 2001 unë kam qenë në burg, në Qupri në Serbi, kur e kam parë që Putini ka vizituar Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës edhe i ka takuar ushtarët rusë dhe së fundmi me 8 dhjetor të vitit 2021, pr ai bie dy muaj e gjysmë para invazionit rus në Ukrainë Junuz Bekijevkurev emërohet si numri dy në ushtrinë ruse. Sergej Shoiku, ministër i Mbrojtjes, përgjegjës për strategjinë ndërkaq Junuz Bekijevkurev numri dy për operacionin.
Pra, Putini është i obsesionuar me Kosovën edhe shumëçka e lidh me vitin 1999 dhe ndërhyrjen e NATO-s. Ai është tepër i indinjuar që Kosova është shembull suksesi i intervenimit të NATO-s, i shtetndërtimit demokratik dhe i zhvillimit ekonomik, ndërkaq ai është shumë i lumtur që ndërhyrja perëndimore në Afganistan dhe në Irak nuk doli aq e suksesshme. Dhe këtu Kosova e bën kontrastin e madh, pra ai do të donte që edhe Kosova të dështojë sikurse Iraku dhe Afganistani. Mirëpo, Kosova është shtet i pavarur, sovran gjithnjë e më i fuqishëm i cili nuk zmbrapset e as nuk i nënshtrohet Serbisë si një regjim klient i Moskës dhe Kremlinit.
The Geopost: Kryeministër, të kthehemi te ngjarjet e përditshme në veri, ekipi i The Geopost ka identifikuar shkrimet, simbolet Z nëpër veturat e policisë dhe të KFOR-it, dje e kishim rastin që kanë qenë prezent edhe gazetarë të Russia Today Balkans në veri, po ashtu disa media kanë paraqitur edhe disa pjesëtarë të grupit Wagner. Në anën tjetër KFOR-i, komandanti i KFOR-it e demanton prezencën e Wagner në veri të Kosovës. Cila është pjesa zyrtare e gjithë kësaj?
KURTI: Unë e kam të qartë se Rusia është e interesuar për destabilizimin e Ballkanit dhe për këtë e përdor Serbinë. Mirëpo në anën tjetër edhe Serbia është e gatshme që vazhdimisht t’i ngacmojë fqinjët, herë Bosnje e Hercegovinën, herë Malin e Zi e herë Kosovën sepse vetëm në këtë mënyrë ajo mund ta shmangë vëmendjen nga kriza e brendshme që ka, sepse asnjë popull nuk mund të qëndrojë gjatë pa liri. Qytetarët në Serbi nuk janë të lirë sepse Serbia nuk është vend demokratik, edhe Freedom House thotë që është regjim hibrid. Për bindjen time është autokraci e pastër, andaj krizën në të cilën ndodhet autokracia, sepse popujt dhe qytetarët duan të jenë të lirë natyrisht që do të mund të zbutet ca duke shkaktuar probleme në fqinjësi. Fakti që thotë duhet të shkaktojë probleme, nuk do të duhej që ne të lëshojmë pe vetëm që ata të mos shkaktojnë probleme. Nëse ata duan të shkaktojnë probleme ne duhet t’i rezistojmë tendencës së tyre, mirëpo edhe me kushtin e nënshtrimit tonë.
Në këtë aspekt pa dyshim që edhe Ujqit e natës edhe Wagnerët kanë qenë në rajonin e Ballkanit, janë në Serbi dhe ne kemi të dhëna se kanë qenë gjatë muajit dhjetor në veri të Kosovës e tash po i mbledhim edhe të dhënat për ndikimin e tyre eventual në sulmet e 26 dhe 29 majit kundër policisë sonë, ushtarëve të NATO-s dhe gazetarëve. Bëhet fjalë përgjithësisht për njerëz të cilët, jo vetëm se janë kriminelë të cilët kanë bërë krime, por hapur e thonë që do të bënin sërish krime. Konkretisht, një ndër parullat që brohoritej me 26 maj ishte “Vrite, vrite”. Nuk janë këto protesta paqësore, të djegësh vetura të policisë, të bërtasësh “Vrite, vrite” me banda të orkestruara nga Beogradi që paguhen prej andej dhe prej atje i marrin edhe direktivat, këto veçse protesta paqësore nuk janë.
Prandaj, këta persona, këta ekstremistë që 5 prej tyre janë në burg, ndërkaq edhe 13 prej tyre i kemi identifikuar me siguri që janë njerëz të tillë te të cilët Kremlini sheh shansin e vet. Meqenëse bëhet fjalë për ideologji të së djathtës ekstreme nacional- shoviniste serbomadhe e cila e adhuron edhe Millosheviqin edhe Putinin. Pra ky adhurim i Millosheviqit dhe Putinit si ideologji, si figura të ideologjisë së tyre, natyrisht që është shume joshës për gruet paramilitare terroriste gjenocidale sikurse puna e Wagnerit.
Ajo çfarë kemi parë ne në Zveçan, ajo është një lloj milicie fashiste e cila kishte edhe serbë, të cilët janë policë në Serbi dhe kanë ardhur që të bëjnë llum në Kosovë. Janë tri kategori të qytetarëve në këto trazira të dhunshme, kategoria e parë janë mbrojtja civile e ku hyjnë edhe policët nga Serbia, elementët e xhandarmerisë të Rusisë, që janë adhurues të Rusisë e kështu me radhë. Kategoria e dytë janë punëtorët e administratës publike që e kanë të detyruar të dalin në të ashtuquajturat protesta sepse përndryshe humbin vendin e punës. Kategoria e tretë janë punëtorët në kompanitë private të disa prej kontrabandistëve, kriminelëve kryesorë si Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviq, të cilët detyrohen të shkojnë në sheshin para komunës e të jenë të dhunshëm ndërkaq te vend ii tyre i punës në kompani private të këtyre kriminelëve multimilionerë iu shkruan se kanë marrë ditë pushimi.
Këto janë tri kategoritë kryesore. Mund të vijë ndonjë qytetar edhe si individ, po rata e bëjnë një pakicë të papërfillshme. Janë këto tri kategori që po i bëjnë këto trazira dhe këto trazira po i bëjnë sepse po e shohin që Kosova është shtet, që Kosova ka polici profesionale që ne jemi vend demokratik që po zhvillohemi, ndërkaq ata e duan ndarjen e Kosovës, ata e duan copëtimin e Kosovës, ky është synimi i qartë i tyre, shkëmbimi territorial ka qenë emërtimi për ndarjen e Kosovës i cili do t’i joshte edhe disa shqiptarë që të hynin në të. Ata prej këtij projekti të dështuar nuk kanë hequr dorë në formën e një ideje. Por kjo ide, për të ardhur në shprehje mund të bëhet vetëm nëpërmjet dhunës.
Dikur ka mundur të vijë në shprehje edhe nëpërmjet bisedimeve, për shkëmbim territorial dhe ndarje të Kosovës. Sot kjo ide mund të vijë në shprehje vetëm nëpërmjet dhunës dhe këtë ne jemi duke e parë dhe këtë duhet ta zmbrapsim dhe për këtë na nevojitet ndihma e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e kështu me radhë. Ne di t’ia dalim, do të jemi të suksesshëm dhe unë jam shumë optimist për këtë gjë, por duhet të jemi bashkë, të fortë, të palëkundshëm sepse situate nuk ka qenë kurrë më e qartë, sepse nuk nevojitet asgjë më shumë as më pak se sa sundimi i ligjit dhe kushtetutshmëria në diku 1/6 e territorit të Kosovës që është mbi lumin Ibër.
The Geopost: Kryeministër, të ndalemi te Bashkimi Evropian, te Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qytetarët e Kosovës kanë parë ndoshta një mospajtim me ta këto ditë. Kosova është shtet pro-evropian dhe pro-amerikan. A i garanton kryeministri i Kosovës qytetarët se këto marrëdhënie do të zhvillohen në mënyrën më të mirë?
KURTI: Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët e KUINT-it në Kosovë dhe natyrisht që kur u njoh procesi zgjedhor të cilin e patëm shtyrë për katër muaj në katër komunat në vëri, kur u njoh rezultati, kur u njoh rezultati, kur u njoh betimi ne nuk kishim tjetër zgjidhje përveçse kryetarët të fillojnë punën në vendin e tyre. Nëse kryetarët do të fillonin punën nëpër shtëpi private ky do të ishte betonim i strukturave paralele ilegale. Ne nuk mund t’u bëjmë struktura paralele strukturave paralele.
Pra, ishim në një situatë të vështirë, ku nuk kishim zgjidhje ideale, mirëpo megjithatë mendoj që kemi vepruar mirë dhe jemi shumë falënderues për gjithë ndihmën dhe mbështetjen që na e kanë dhënë dhe po na e japin. Nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në qasje, nganjëherë mund të ketë ndonjë dallim në elemente taktike le të themi të operacioneve që zhvillojmë dhe për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve ne nuk kemi absolutisht asnjë dallim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.