Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të vendit është e domosdoshme. Në një takim me ambasadorin e Francës, Olivier Guerot dhe zëvendësambasadorin gjerman, Matthias Conrad, Kurti dhe diplomatët ndërkombëtarë janë pajtuar për rëndësinë jetike të shtensionimit të situatës në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç.
“U pajtuan për rëndësinë jetike të de-eskalimit të situatës. Kryeministri i njoftoi për profesionalizmin e lartë dhe integritetin e padiskutueshëm të Policisë së Kosovës në menaxhimin e situatës pa asnjë gabim apo defekt. Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme si për largimin e elementeve kriminale ashtu edhe për një fushatë të hapur dhe të ndershme para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen”, njoftoi Qeveria e Kosovës.
Gjithashtu, në komunikatë thuhet se është theksuar nevoja për zbatimin e plotë, të shpejtë dhe pa kushte, të Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Aneksit të saj.
Në mesin e tensioneve që kanë përfshirë veriun e Kosovës, të dërguarit e posaçëm të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak vizitojnë Prishtinën dhe Beogradin. Qëllimi i vizitës, është të nxisin palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën në komunat veriore, ku prej më shumë se një jave po mbahen protesta kundër kryetarëve shqiptare. Këtë të hënë, dy zyrtarët e lartë do të vizitojnë Kosovën, ku siç bëhet e ditur, do takohen me kryeministrin Albin Kurti në orën 20:00 të mbrëmjes.
Të martën do të nisen drejt Beogradit për të zhvilluar bisedime me presidentin Vuçiç. Në një intervistë për BBC një ditë më parë, Escobar tha se tensionet mund të shmangeshin, ndërsa bëri përgjegjëse kryesisht Kosovën.
Komuniteti ndërkombëtar ka shtuar trysninë ndaj Kosovës, për zgjidhjen e krizës në veri duke avancuar 3 kërkesa të qarta; mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri, pjesëmarrjen e serbëve dhe krijimin e asocacionit.
Ndërsa kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani kanë sinjalizuar se zgjedhjet mund të mbahen, Lista serbe tha të hënën se do të marrë pjesë kur të plotësohen dy kushte; tërheqja e njësive speciale nga veriu dhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.