Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar se ata janë të gatshëm të organizojnë një takim të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Në një deklaratë, Stano tha se megjithatë, në këtë fazë, më me rëndësi është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë në këtë drejtim.
“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi mikpritës të takimit në nivel të lartë, në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiç, kur të ketë kushte, dhe kur të dy ata të pajtohen për diçka të tillë. Por, në këtë fazë, gjëja më e rëndësishme është që të ulen tensionet në terren dhe të ndërmerren hapa konkretë. Dhe pikërisht për këtë, ne e kemi të dërguarin e posaçëm të BE-së. Ai pasi të jetë në Prishtinë dhe Beograd, do të raportojë te Përfaqësuesi i Lartë, e Përfaqësuesi i Lartë do t’i njoftojë vendet anëtare, për të vendosur për hapat e mëtejmë” ka thënë Stano.
I dërguari i dërguari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar zhvilluan pasditen e të hënës (5 qershor) një vizitë në Prishtinë. Pas vizitës në Kosovë, Lajçak dhe Escobar do të udhëtojnë më pas drejt Beogradit, ku do të zhvillojnë një takim me Presidentin Vuçiç.