Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte i drejtpërdrejtë në detyrat që u janë lënë Kosovës dhe Serbisë gjatë takimeve që ai dhe i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak patën në Prishtinë dhe Beograd.
Gabriel Escobar: Kryetarët nuk duhet të shfrytëzojnë ndërtesat komunale, policia e Kosovës duhet të tërhiqet nga zona përreth tyre dhe protestuesit duhet të largohen. Nëse ka zgjedhje të reja dhe ne shpresojmë që do të ketë, duam që serbët të marrin pjesë në to pa kushte.
Duke folur për çështjen e Asociacionit, Escobar nuk i kurseu shigjetimet për kryeministri Kurti.
“Asociacioni nuk është një marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë, është një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu që nëse në një pikë Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin evropian, do të duhet ta themelojë Asociacionin. Pra, do të ndodhë. Pyetja është – a do të ndodhë me këtë qeveri apo një qeveri të ardhshme?”.
Escobar tha se nuk kishte ndonjë afat ndaj Prishtinës dhe Beogradit për zbatimin e kërkesave, por nënvizoi se të premten ai dhe Lajçak do të duhet të raportojnë tek shefat e tyre.
I pyetur për deklaratat e Escobar, kryeministri Kurti tha se nuk kishte ndonjë ultimatum ndaj tij ndërsa presidenti serb Vuçiç njoftoi se në 9 qershor do të nisë diskutimet me serbët e veriut.