Siberia ka arritur nivelin rekord të temperaturave më të larta në histori. Temperaturat po rriten me shifra gjithnjë e më ekstreme duke kapur 40 gradë Celsius, ndërsa vijon regjistrimi i temperaturave të larta, një gjë e pazakontë për një vend ekstremisht të ftohtë.
Zonat që shënuan rekord temperaturash janë Baevo me 39.6 gradë Celsius, Barnaul me 38.5 gradë Celsius dhe Jalturovosk me 37.9 gradë Celsius
Disa nga këto stacione kanë nga pesë deri në shtatë dekada regjistrime të temperaturës, ku këtë javë është arritur ekstremi i tyre duke shënuar “valën më të keqe të të nxehtit në histori” e rajonit.
Ngrohja globale po shkakton temperatura gjithnjë e më ekstreme. Siberia do të ketë luhatje të mëdha mujore dhe vjetore të temperaturës, por dekadat e fundit kanë parë një prirje të fortë për rritje të temperaturave.
“Siberia është një nga rajonet me ngrohjen më të shpejtë në planet me ekstreme të nxehta në rritje në intensitet”, tha për CNN Omar Baddour, shefi i monitorimit të klimës dhe shërbimeve të politikave në Organizatën Botërore Meteorologjike.