Aktori me famë botërore, Leonardo DiCaprio, ka dalë publikisht kundër vendimit të Qeverisë së Shqipërisë që të ndërtohen tetë hidrocentrale në lumin Vjosa.
Përmes rrjetit social Instagram, DiCaprio ka shpërndarë videon dhe tekstin e “AP-së” ku flitet për planet që i japin fund veçantisë së lumit shqiptar.
“Ky është ndër lumenjtë e mbetur të egër në Evropë. Por për sa gjatë? Qeveria shqiptare ka vënë në funksion planet për të dëmtuar lumin Vjosa për të gjeneruar rrymën elektrike të nevojshme për një nga shtetet më të varfra në Evropë, me qëllimin që të ndërtojë tetë hidrocentrale përgjatë lumit”, thuhet në tekstin e shpërndarë nga DiCaprio duke shtuar se disa studime të fundit kanë vënë në pikëpyetje vlerën e hidrocentraleve në luftën kundër ngrohjes globale.
“Kritikët thonë se benefitet nga hidrocentralet janë të ekzagjeruara”, thuhet ndër tjerash në këtë përshkrim.