Kancelari Olaf Scholz dhe ministrat e qeverisë federale të Gjermanisë, janë mes punonjësve të sektorit publik që do të marrin një “ndihmë inflacioni” prej 3,000 eurosh.
Lajmin e raporton gazeta BILD , duke cituar një projektligj nga ministria e Brendshme.
Rreth 2.5 milionë punonjës në ndërmarrjet federale, shtetërore dhe komunale do të marrin një pagesë pa taksa prej 3,000 € për të kompensuar rritjen e mallrave dhe shërbimeve për shkak të inflacionit të lartë.
Dispozita parashikohet nga kontrata kolektive e punës, ndërsa dispozitat përkatëse përfshihen në marrëveshjet sektoriale të shumë degëve të sektorit privat, si industria e metaleve, e energjisë elektrike dhe e kompanive farmaceutike.
Punonjësit e sektorit publik do të marrin 1200 € shtesë në qershor dhe 220 € çdo muaj nga korriku deri në shkurt.
Për rrjedhojë, pensionistët e shtetit do të përfitojnë kompensim sipas përqindjes së pagës së fundit që marrin. Përqindja maksimale është 71.5% dhe për këtë arsye ata do të marrin një shtesë prej 2152.50 euro.
Por sipas BILD, një projektligj i ministrisë së Brendshme tani përcakton që kancelari Olaf Solz dhe ministrat e qeverisë federale kanë të drejtë për shumën shtesë.
Kritikat nuk kanë munguar nga Unioni i Tatimpaguesve.
“Kancelari dhe ministrat duhet të japin një shembull të mirë dhe të heqin dorë nga një kompensim i tillë”, tha presidenti i Unionit Rainer Holznagel për Bild.
Ministria e Brendshme thotë se projektligji është ende në fazën paraprake të përpunimit.