Gjashtë anëtarë të stafit që xhironin vazhdimin e filmit Gladiator në Marok janë plagosur gjatë një aksidenti në xhirime. Sipas kompanisë së prodhimit të filmit “Paramount Pictures”, lëndimet nuk ishin kërcënuese për jetën dhe ndodhën gjatë realizimit të një skene të planifikuar akrobatike.
“Anëtarët e stafit janë të gjithë në gjendje të qëndrueshme dhe vazhdojnë të marrin trajtim. Ka procedura të rrepta të shëndetit dhe sigurisë në të gjitha prodhimet tona dhe do të merren të gjitha masat e nevojshme kur të rifillojmë prodhimin”, thekson kompania në deklaratë.
Më herët gjatë kësaj jave, “The Sun” raportoi se kishte pasur një shpërthim dhe gjashtë persona shkuan në spital, por asnjë pjesëtar i kastit nuk u lëndua.
“Ishte e tmerrshme, një top i madh zjarri fluturoi lart dhe kapi disa anëtarë të ekipit. Gjatë viteve të xhirimeve nuk kam parë kurrë një aksident kaq të frikshëm. Të gjithë të përfshirët janë tronditur nga kjo,” tha një burim për gazetën.
Sir Ridley Scott, i cili drejtoi filmin origjinal të dramës historike të vitit 2000, është rikthyer për të drejtuar pjesën e dytë, që është planifikuar të dalë në nëntor 2024.
Asnjë titull nuk është shpallur ende për vazhdimin, ku luajnë aktori i Normal People, Paul Mescal, Denzel Ëashington dhe Connie Nielson.
Filmi origjinal fitoi pesë Oscar, duke përfshirë aktorin më të mirë për Russell Croëe, i cili luajti gjeneralin romak Maximus Decimus Meridius së bashku me Joaquin Phoenix në rolin e Perandorit Commodus.
Filmi, i vendosur gjatë kulmit të Perandorisë Romake, e sheh Maksimusin të fillojë si një hero lufte përpara se të detyrohej të bëhej gladiator.
Gladiator fitoi 457 milionë dollarë dhe ringjalli zhanrin historik të dramës epike, i cili kishte qenë jashtë modës për dekada.