Tensionet në veri të Kosovës kanë bërë që thirrjet e SHBA të jenë të ashpra kundrejt kryeministrit Albin Kurti duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe formimin e Asosacionit të komunave serbe.
Këto kritika, që Kurti të bëjë një hap pas, kanë bërë që të aludohet edhe një krizë në marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA, por zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së dhe i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka sqaruar se Albin Kurti është partner i SHBA, edhe pse ndonjëherë është një partner i vështirë.
“Më duhet ta bëj të qartë – Z. Kurti është partneri ynë. Ai ndonjëherë është një partner i vështirë, por ai është një partner. Kosova është partneri ynë. Serbia është partneri ynë. Pra, në të ardhmen duam t’i shfrytëzojmë marrëdhëniet e mira që kemi me Kosovën dhe përmirësimin e marrëdhënieve që kemi me Serbinë për të gjetur një mënyrë, për të gjetur një mënyrë reciprokisht të pranueshme dhe reciprokisht të dobishme në mënyrë që të dyja të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, së bashku. Dhe jo vetëm kaq, por që të dyja të ndihmojnë në hapjen e derës së integrimit për pjesën tjetër të rajonit. Pra, ne duam të përdorim marrëdhënien tonë të mirë për të ndihmuar në ndërmjetësimin në të ardhmen”, tha Escobar për Zoran Korać, themelues dhe drejtor i Institutit për Politikë dhe Ekonomi të Evropës Juglindore (IPESE) me seli në Beogradi.
Escobar ritheksoi edhe një herë kërkesat e SHBA për Kosovës që të zhvillojë zgjedhjet dhe të zbatojë formimin e Asosacionit të komunave serbe dhe palët t’i rikthen zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.
“Po, çfarë kishim në Ohër: arritëm një marrëveshje. Një marrëveshje ligjërisht e detyrueshme që hapi derën për një marrëdhënie paqësore, konstruktive dhe të parashikueshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sipas rregullave evropiane. Kur u larguam nga Ohri, u larguam optimistë. Në dy muajt që kur arritëm atë marrëveshje, kemi pasur shumë kriza politike dhe do të thoja se të gjitha ishin të parashikueshme dhe mund të shmangeshin.
Pra, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Për Serbinë kjo do të thotë t’i jepet fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës. Për Kosovën kjo nënkupton fillimin e procesit të zbatimit të Asosacionit të Komunave Serbe. Duhet të punojmë menjëherë për të dyja gjërat”, tha Escobar.
Escobar tha se SHBA-të do të vazhdojnë të avokojnë për përparimin e Ballkanit Perëndimor dhe ta shohin atë si një zonë me mundësi të mëdha që duhet të integrohet plotësisht në Bashkimin Evropian.
“Ne do të mbetemi shumë të angazhuar në Ballkanin Perëndimor. Ndaj dua të nis duke thënë se edhe pse lajmet mbizotërohen nga tensionet dhe problemet politike. Për qeverinë e Shteteve të Bashkuara, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë me mundësi të jashtëzakonshme. Karakteristika përcaktuese e Ballkanit Perëndimor për momentin është rritja e fortë ekonomike dhe potenciali i fortë ekonomik.
Rajoni ka potencialin për të qenë lider në IT, transport, energji, infrastrukturë, transport dhe madje edhe turizëm. Rajoni ka universitete të shkëlqyera, një fuqi punëtore të talentuar dhe një fuqi punëtore relativisht të re. Kështu që ne do të vazhdojmë të investojmë në këtë dhe shpresojmë se investimi në të ardhmen e rajonit do të ndihmojë në tejkalimin e disa problemeve politike”, tha ai.
Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit i SHBA-së, Escobar shtoi se nëse SHBA-të do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030, i gjithë rajoni do të ishte brenda BE-së.
“Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kishin një rol më të madh në vendimmarrje, deri në vitin 2030 i gjithë rajoni do të ishte brenda Bashkimit Evropian. Por ndërkohë, deri në vitin 2030 ne presim që investimet në ekonomi të fillojnë të krijojnë mundësi reale. Unë supozoj se deri në vitin 2030, të gjitha vendet e rajonit do të jenë në rrugën e tyre të mirë për të përmbushur të gjitha kushtet për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, se do të bëjnë një rrugë të gjatë për të reduktuar korrupsionin dhe për të hapur mundësi për të rinjtë që të kenë një të ardhme ekonomike afatgjatë në rajon”, tha Escobar.