Ka përfunduar seanca gjyqsore ndaj Ish-presidenti amerikan Donald Trump. Ky i fundit është përballur me akuza penale për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë, ku dhe u deklarua i pafajshëm.
Ndonëse ishin marrë masa të larta sigurie në gjykatën federale në qendër të Majamit, mbështetës të shumtë e pritën Trump para gjykatës me brohoritje dhe me flamuj në duar ndërsa dëgjoheshin me thirrjet “Ne duam Donald Trump”.
Kjo është hera e dytë brenda këtij viti që Trumpi përballet me gjyqësorin. Ai ka mohuar të ketë bërë ndonjë gjë të gabuar ndërkohë që është hera e parë që ndaj një ish presidenti ndërmerret një procedim kriminal federal.
Në gjykatë, ish presidenti u paraqit sëbashku me një ndihmës të tij të ngushtë, që përballet me gjashtë akuza në lidhje me keqpërdorimin e dokumenteve të sigurisë kombëtare, i cili u deklarua i pafajshëm gjithashtu, sipas BBC.
Ndaj Trump janë ngritur 37 akuza pasi më shumë se 100 dokumente të etiketuara si të klasifikuara u gjetën gushtin e shkuar në rezidencën e tij Mar A Lago në Florida.
Prokurorët federal akuzojnë Trump se ka mbajtur në mënyrë të paligjshme dokumente, disa prej të cilave u gjetën në një sallë që përdorej për ballo si dhe në ambientet e një dushi në Mar a Lago.
Trump gjithashtu akuzohet se ka komplotuar me një ndihmës për të penguar përpjekjet e qeverisë për rimarrjen e dokumenteve. Pretendohet se dosjet përmbanin informacione për aftësitë mbrojtëse dhe armët e SHBA-ve dhe vendeve të huaja, si dhe për plane që mund të ndërmerreshin në rast të ndonjë sulmi nga jashtë.
Ndërkohë, 76-vjeçari Donald Trump, po bën fushatë për zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.