Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar shkarkimin e kryeministrit Albin Kurti pas përplasjes së tij me partnerët ndërkombëtarë lidhur me situatën e tensionuar në veri.
Haradinaj thotë se shkarkimi i Kurtit është emergjencë kombëtare, pasi sipas tij është bërë “i pabesueshëm për aleatët euroatlantikë”.
“I zbuluar dhe i kapun në mashtrim. I humbur në qeverisje dhe i pashpresë për ekonomi, arsim e shëndetësi. I zhytur në korrupsion dhe i kapun në hajni. I pabesueshëm për aleatët euroatlantikë.
I kapun në pabesi dhe i dënuar prej tyre, Kurti po kërkon shpëtim te kriminelët në veri. S’e shpëtojnë as ata, s’e ka drejtësi për të gjithë dhe ka për të pasur për popullin e shumëvuajtur të Kosovës edhe nga e keqja Kurti. Prandaj shkarkimi i Kryeministrit dhe Qeverisë, është urgjencë kombëtare!”, shkruan Haradinaj në facebook.
Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës, për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri. Një ditë më parë, kryeministri Kurti prezantoi planin e tij me 5 pika për shtensionimin e situatës në veri.