“Shqipëria pranohet zyrtarisht në EUROJUST”, ka deklaruar sot Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
“Privilegj dhe kënaqësi të ndaj lajmin e mirë për hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Eurojust e nënshkruar më 5 tetor 2018”, shprehet Gjonaj.
“Ky rezultat pozitiv vjen pas një bilanci të vlerësuar pune nga ekipi i EUROJUST, ku intensivisht u përpoqëm të plotësojmë të gjitha parakushtet e vendosura”, thekson ajo.
Po ashtu Gjonaj falenderoi dhe i shprehu mirënjohjen presidentit të EUROJUST Ladislav Hamran, dhe komisioneres Vera Jurova, të cilët para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, patën besimin për të ofruar mbështetjen e nevojshme për të realizuar anëtarësimin e Shqipërisë në EUROJUST.
“Kjo përgjigje pozitive është një notë e çmueshme që i takon të gjithë mundit tonë, për ta ngritur në një nivel të ri bashkëpunimin për hetimin e krimit trans-nacional. Përmes caktimit të një prokurori në zyrën e EUROJUST në Hagë, ne do të rrisim më tej besimin e partnerëve tanë në vullnetin e Shqipërisë për të luftuar krimin e organizuar trans-nacional, si dhe do të garantojmë shkëmbimin në kohë të shpejtë të informacioneve të nevojshme për luftën kundër krimit të organizuar dhe veçanërisht në sekuestrimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale”, shprehet Gjonaj.
“Ndihem e vlerësuar si ministre e Drejtësisë, duke shënuar në kalendarin e punës sonë një tjetër datë suksesi e cila padyshim do të shërbejë si një urë e fortë lidhëse në rrugën që po shtrojmë bashkërisht drejt integrimit të plotë në familjen europiane”, thekson ministrja.