Eksperti i sigurisë në Prishtinë, Bedri Elezi, e ka konsideruar “tejet të rëndë” situatën e sigurisë në veriun e Mitrovicës, teksa marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë mbeten shumë të tensionuara.
Elezi përmendi dhunimin e gazetarëve dhe rrëmbimin e efektivëve të Policisë së Kosovës, duke i konsideruar si ngjarje tejet të rënda që tregojnë, sipas tij, se në zonë nuk ka më siguri.
“Situata në veriun e Mitrovicës është tejet e rëndë, sidomos pasi kemi parë në filmime që serbët lokalë kanë dhunuar gazetarët që po raportonin nga terreni. Ato pamje janë pamje që nuk i kemi parë ndonjëherë dhe është shqetësuese që institucionet tona nuk i kanë ofruar siguri gazetarëve. Kemi dhe rastin e rrëmbimit ët zyrtarëve policor që po kryenin detyrat e tyre në patrullime. Këto janë raste të rënda dhe dërgojnë se në çfarë niveli është siguria në Kosovë dhe flet për një gjendje ku askush nuk ka siguri në atë zonë”, tha Elezi.
Sipas tij, KFOR nuk ka asnjë plan konkret për të qetësuar situatën, teksa akuzon për mosreagim.
“Është shqetësuese sepse nuk kemi parë ndonjë plan operativ konkret të forcave kryesore të sigurisë në veri të Mitrovicës, KFOR. Duhet të ofrojnë siguri, në të kundërt mosreagimi i kontribuon situatës pasi inkurajon grupet kriminale të bëjnë veprime të dhunshme”, u shpreh Elezi.
Situata në veriun e Kosovës mbetet tejet e tensionuar, teksa këtë të premte, sulmet e protestuesve nuk kanë kursyer as mediat, të cilat ishin duke kryer filmime në Leposaviç. Kameramani i RTK ka pësuar lëndime, pasi u godit në trup dhe kokë nga protestuesit, ndërsa ngjarja u regjistrua vetëm disa minuta pasi ata raportuan drejtpërdrejtë për RTSH 24 në lidhje me situatën atje.
Ndërkohë, 3 efektivët e Policisë së Kosovës vijojnë të mbahen në Serbi, ku Gjykata i caktoi masën e sigurisë 30 ditë burgim. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të tyre, ndërsa po ashtu e njëjta kërkesë është artikuluar edhe nga ndërkombëtarët.