Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia ka dorëzuar mbushjet bërthamore në Bjellorusi dhe paralajmëroi se vendi i tij mund t’i përdorë këto armë në Ukrainë.
Nëse konfirmohet transferimi do të ishte hera e parë që Rusia ka vendosur armë bërthamore jashtë kufijve të saj që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.
Duke folur në konferencën për ekonominë në Shën Petersburg të premten, presidenti rus tha se Moska kishte dërguar një numër të papërcaktuar kokash bërthamore në Bjellorusi, duke shtuar se furnizimet do të përfundojnë plotësisht deri në fund të verës ose në fund të vitit.
Armët bërthamore taktike, të njohura si “bërthamat e valixheve”, janë më të vogla se ato strategjike dhe mund të vendosen në distancë të shkurtër për përdorim në fushën e betejës – megjithëse Alexander Lukashenko, udhëheqësi i Bjellorusisë, tha këtë javë se kokat e këtyre armëve ishin tre herë më të fuqishme se ato atomike që SHBA hodhi mbi Japoninë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Putin ka thënë se Rusia ka të drejtë të vendosë armët për shkak të numrit të armatimeve bërthamore që SHBA ka vendosur në Evropë.
Ai ka shfaqur rregullisht mundësinë e përdorimit të tyre në Ukrainë nëse kërcënohet Rusia.
As Rusia dhe as Bjellorusia nuk kanë treguar asnjë provë për dorëzimin e armëve bërthamore që kur e njoftuan për herë të parë planin në mars.
Megjithëse Putini ka thënë vazhdimisht se Rusia nuk po planifikon të përdorë armët bërthamore, ai i është referuar gjithnjë e më shumë mundësisë së përdorimit të tyre në javët e fundit.
Putin e kishte ngritur më parë këtë temë vjeshtën e kaluar, kur SHBA, Britania e Madhe dhe Franca paralajmëruan Rusinë se do të hakmerreshin me një sulm konvencional nëse Putini përdorte armë bërthamore në Ukrainë.
Gjithashtu, Kina, aleati i Moskës ka deklaruar se përdorimi i armëve bërthamore do të ishte i papranueshëm.
Në audiencën e Forumit Ekonomik, të përbërë nga elita ruse dhe një mori mysafirësh kryesisht nga Lindja e Mesme, Afrika dhe Azia, Putin u shpreh se ai do t’i rezistonte çdo përpjekjeje në bisedimet për kontrollin e armëve me perëndimin.
“Ne kemi më shumë nga ato armë sesa vendet e NATO-s. Ata e dinë këtë dhe gjithmonë përpiqen të na bëjnë të fillojmë bisedimet për reduktimin. Në këtë rast, për të përdorur një term ekonomik, ky është avantazhi ynë konkurrues”, u shpreh Putin, shkruan The Economist.
Deklarata e Putinit ishte pjesa qendrore e një sesioni treorësh në të cilin ai përsëriti, pa prova, pretendimet se kundërofensiva e Ukrainës kundër forcave të tij pushtuese kishte dështuar.