Për një rrugë të lënë në mëshirë të fatit, një fshat i tërë shpopullohet, shkolla mbetet pa fëmijë dhe këndin modest të lojërave mund ta përkundin vetëm erërat. Ky është fati i fshatit Pëshkëpi në bashkinë e Pogradecit.
Një fshat që natyra e ka bërë të prodhojë gjithçka, por që fatkeqësisht nuk ka më njerëz.
“Çfarë nuk bëhet këtu; hurma, shega, rrushi, të gjitha prodhimet. Fshati ka patur 700-800 banorë, por tani ka 38-40 veta”, shprehen banorët.
Si në rrallë fshatra në vendin tonë, shkolla e rikonstruktuar dhe me panele diellore nuk ka ku të mësojë. Ato pak banorë shprehen se mësuesit nuk vijnë dot për shkak të rrugës.
“Godina e shkollë është më e mira, u mbyll se është rruga e keqe dhe nuk vijnë mësueset”, thotë një tjetër. “Është shkolla më e mirë në rrethin e Pogradecit”, shprehet banorja.
Edhe shërbimi mjekësor nëpërmjet një infermieri nuk u vjen rregullisht. “Infermieri nuk ka ardhur ka dy javë. Dje e kishte për të ardhur dhe nuk erdhi. Kur sëmuremi zëmë ndonjë makinë dhe këto na shpien deri në Zagorçan”, shtojnë banorët.
Dhe tanimë shpresat janë venitur që Peshkëpia të rimarrë gjallërinë e dikurshme. Mungesa e një rruge bëri që banorët të largohen edhe pse këtu kanë gjithçka, përveç vëmendjes së institucioneve.