Alexey Navalny, lideri i opozitës ruse i cili vijon të jetë ende burgosur, ka bërë të ditur se do të nisë një fushatë që synon të kthejë rusët kundër luftës në Ukrainë.
Sipas një deklarate të publikuar në faqen e tij zyrtare, Navalni ka theksuar se “dua t’i bëj thirrje të gjithëve që ta shfrytëzojmë këtë ditë për të shpallur tonën e re, shumë të rëndësishme”
“Dua t’i bëj thirrje të gjithëve në veprim dhe ta shfrytëzojmë këtë ditë për të shpallur tonën e re, shumë të rëndësishme. Projekti. Makinë e madhe agjitacioni.
Ne nuk duam vetëm ta bëjmë atë, por patjetër do ta bëjmë për të bashkuar forcat në luftën kundër gënjeshtrave të Putinit dhe hipokrizisë së Kremlinit.
Ne do të zhvillojmë një fushatë kundër luftës. Dhe kundër Putinit. Pikërisht. Një fushatë e gjatë, kokëfortë, rraskapitëse, por thelbësisht e rëndësishme, ku do t’i kthejmë njerëzit kundër luftës”, ka theksuar Navalny.
Sipas deklaratës, agjitatorët do të kryejnë sondazhe telefonike, do të komunikojnë me rusët në aplikacionet e mesazheve dhe rrjetet sociale të kontrolluara nga Kremlini në mënyrë që të bindin rusët të votojnë kundër luftës.
Deklarata u publikua teksa u dëgjua një seancë tjetër gjyqësore mbi akuzat për ekstremizëm me të cilat përballej Navalny.
Nëse shpallet fajtor, Navalny mund të përballet me një dënim edhe më të gjatë. Navalny është duke vuajtur dënime prej 11 vitesh e gjysmë në një objekt të sigurisë maksimale. Ai u akuzua në vitin 2021 për “krijimin e një komuniteti ekstremist”, sipas një raporti të atij viti nga media shtetërore ruse, TASS.
Ai dhe mbështetësit e tij pretendojnë se arrestimi dhe burgimi i tij ishin të motivuara politikisht, me qëllim që të heshtin kritikat e tij ndaj presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas sondazheve të fundit të opinionit, shumica e rusëve vazhdojnë të mbështesin të ashtuquajturin operacion special ushtarak në Ukrainë, transmeton CNN.
“Tre në katër rusë (76%) vazhdojnë të thonë se mbështesin operacionin ushtarak”, thuhet në një raport të përbashkët të Këshillit të Çikagos dhe Qendrës Levada të publikuar javën e kaluar.