Gjykata e Posaçme caktoi një grup të ri ekspertësh mjeko-ligjorë për vlerësimin e gjendjes shëndetësore të Lefter Allës, ish-kryebashkiakut të Bulqizës, që rri në paraburgim prej 15 marsit të këtij viti. Riekspertimi u kërkua nga SPAK në procesin e shqyrtimit të kërkesës së Allës për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Më herët gjykata ka administruar një akt-ekspertim mjeko ligjor për Allën. Në të pohohej gjendje e rënduar shëndetësore dhe se qëndrimi në qeli mund t’i rrezikonte jetën, por gjykata ka vlerësuar nevojën e një riekspertimi.
Lefter Alla qëndron në qeli me kërkesë të SPAK, që ka ngritur dyshime ndaj tij për “shpërdorim detyre” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.