Shqipëria ka nisur eksportin e shalqirit drejt tregjeve të Bashkimit Evropian.
Vetëm gjatë javës 20-26 qershor nga tregjet e Lushnjës dhe Fierit janë eksportuar mesatarisht 65 tonë shalqi çdo ditë drejt Gjermanisë, Çekisë e Austrisë, thanë burime nga dogana shqiptare.
Prodhimi i shalqirit në Shqipëri ka një rritje në 3 vitet e fundit. Sipas referimeve të INSTAT, në vitin 2022 ka arritur një prodhim prej 280 994 tonë, nga 240 mijë tonë që ishte një vit më parë.
Shqipëria ka kushte të favorshme klimatike për kultivimin e shalqirit, që fillon nga muaji prill dhe vazhdon deri në tetor, çka ka nxitur kultivimin e tij jo vetëm nga fermerët e vegjël, bizneset familjare, por edhe nga sipërmarrësit që operojnë në sipërfaqe të mëdha.
Një pjesë e prodhimit të bostanorëve eksportohet në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare, duke kontribuar në rritjen e ekonomisë vendase.
Shqipëria tashmë ka fituar epërsi eksporti të qëndrueshëm edhe në tregjet e BE-së, teksa eksporton shalqinj kryesisht në vendet fqinje në rajonin e Ballkanit, duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, vende që janë gjeografikisht afër dhe kanë kërkesa për fruta të freskëta, veçanërisht gjatë stinës së verës, e lidhur kjo edhe me turizmin.