I Dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka deklaruar pas takimit me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti se ka pasur mirëkuptim për të ecur përpara me tri pikat e paraqitura nga BE.
Tre pikat kanë të bëjnë me shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, zgjedhjet e reja dhe kthimin në normalitet midis Prishtinës dhe Beogradit.
“Nuk është detyrë e lehtë, as situatë e lehtë. Kam pasur takime të rëndësishme me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti. Kishim diskutim të gjatë e të sinqertë dhe shumë të rëndësishëm.
Duhet të zgjedh fjalët, ka mirëkuptim në nevojën për të ecur para në tri pikat që janë paraqitur nga BE-ja: shtensionim, zgjedhje të reja dhe kthim në normalizim”, ka theksuar Lajçak për mediat pas takimit.
Lajçak është shprehur se ata janë pajtuar me Kurtin dhe Osmanin, që të vazhdojnë diskutimet për shtensionim të situatës në veri të vendit.
“Ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapat konkretë që duhet të merren. Ai ka prezantuar pikëpamjet e tij, unë të miat. Takimi ishte i gjatë, por shumë i rëndësishëm për të kuptuar pozitat e njëri-tjetrit më mirë, por jemi pajtuar të vazhdojmë”, ka theksuar Lajçak.
Lajçak nuk ka dashur të komentojë sanksionet ndaj Kosovës, teksa ka thënë se në BE nuk janë aspak të lumtur për të vendosur masat shtrënguese.
“Qëllimi i diskutimit ishte që të arrijmë te pika që të hiqen masat dhe të arrijmë te pikat paraprake. Do të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë që do të na çojnë atje. Ai paraqiti pikëpamjen e tij, ndërsa unë prezantova pikëpamjet e mia dhe kjo është arsyeja se pse zgjati ky takim”, ka thënë Lajçak lidhur me takimin me Kurtin.
Ai e ka vlerësuar të rëndësishëm takimin e sotëm dhe sipas tij, ky takim do të ndihmojë për t’i kuptuar më mirë qëndrimet e njëri-tjetrit. Ditën e nesërme Lajçak do të qëndrojë në Beograd ku do të takohet me krerët e shtetit serb. Ndërsa ka theksuar se BE ka marrë masa edhe për Serbinë, në rast se ajo nuk vepron në raport me kërkesat e tyre.
“BE-ja e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë dhe ato do të zbatohen nëse shohim se Serbia s’po vepron me kërkesat e BE-së. Dëshira ime është të mos kemi sanksione ndaj Kosovës e Serbisë. Dëshira ime është të kemi dy palët në Bruksel e të negociojnë si të zbatojnë marrëveshjet e arritura”, ka nënvizuar Lajçak.