Ministria britanike e Mbrojtjes ka konfirmuar për herë të parë se Forcat Speciale të Mbretërisë së Bashkuar (SAS), janë në qendër të një hetimi për krime lufte.
Ministria e Mbrojtjes u tërhoq të mërkurën nga një përpjekje për të kufizuar çdo përmendje të përfshirjes së Forcave Speciale në krime të supozuara lufte në Afganistan. Hetimi pason raportimin për vite të tëra për vrasjet e supozuara të paligjshme të SAS.
Në një deklaratë përpara seancës dëgjimore të Hetimit të Pavarur në lidhje me Afganistanin, Sekretari i Mbrojtjes Ben Wallace tha: “Hetimi tani po arrin në fazën e seancave dëgjimore thelbësore dhe unë mund të konfirmoj se akuzat kanë të bëjnë me sjelljen e Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar”.
Vendimi për të konfirmuar përfshirjen e njësive të Forcave Speciale në operacionet nën vëzhgim nga hetimi, ndryshon pozicionin e mbajtur më parë nga MM.
Wallace tha se konfirmimi i përfshirjes së Forcave Speciale u bë vetëm “në rrethana të jashtëzakonshme të këtij hetimi”.
“Jashtë këtij konteksti shumë specifik, një konfirmim i tillë nuk duhet të shihet se ndryshon qëndrimin e kahershëm të kësaj qeverie, dhe qeverive të mëparshme, që të mos komentojnë vendosjen ose aktivitetet e Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar,” tha ai.
Ministria e Mbrojtjes kishte argumentuar më parë se hetimi duhej të kufizonte nga publiku “çdo prove, ose dokument, ose fjalë, ose fragment dokumentesh, që tentojnë të konfirmojnë ose mohojnë përfshirjen e pretenduar të Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar në operacionet që do të hetohen”.
Por të hënën, më pak se 48 orë përpara se ata të debatonin për çështjen përpara kryetarit të hetimit, Lord Justice Haddon-Cave, avokatët e Ministrisë së Mbrojtjes thanë se ministria “propozoi të braktiste atë pjesë të aplikimit të tyre”.
Ndryshimi, i konfirmuar në seancën dëgjimore të mërkurën, do të thotë se provat e përfshirjes së Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar në vrasjet e supozuara të paligjshme në Afganistan mund të diskutohen hapur në seancat hetimore dhe të raportohen publikisht.
Një hetim i gjatë nga BBC zbuloi prova që tregojnë qartë se një njësi SAS që vepronte në Afganistan në 2010 dhe 2011, vrau 54 njerëz në rrethana të dyshimta.
Raportimi i mëtejshëm nga BBC zbuloi raste specifike që shkaktuan shqetësim në nivelin më të lartë të Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar, duke përfshirë një bastisje të vitit 2012, ku një njësi tjetër vrau dy prindër dhe plagosi rëndë dy djemtë e tyre të mitur.
Ministria e Mbrojtjes është ende duke ndjekur një kërkesë që gjithë personelit të Forcave Speciale të përfshirë në operacionet në Afganistan t’i jepet automatikisht anonimiteti dhe që të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve për vetë operacionet të mbahen në seanca të mbyllura, larg familjeve të viktimave dhe publikut.
Avokati i Ministrisë së Mbrojtjes, Brian Altman KC, tha gjithashtu se ministria synon të mbajë në fuqi politikën e saj “as të konfirmojë e as të mohojë” në lidhje me emërtimin e njësive ose nën-njësive specifike të Forcave Speciale të Mbretërisë së Bashkuar, duke argumentuar se identifikimi i “elementeve të veçanta të forcës” do të përbënte rrezik për aftësitë dhe operacionet e ardhshme.
Avokatët e familjeve të afganëve të vrarë në shtatë operacione të veçanta të Forcave Speciale argumentojnë se kufizimet e përgjithshme që kërkohen nga Ministria e Mbrojtjes janë “të pajustifikueshme dhe dëmtojnë seriozisht besueshmërinë e hetimit”.
Duke folur në hapjen e seancës në Gjykatën Mbretërore të Drejtësisë në Londër, Lordi Haddon Cave pranoi se disa prova do të duhej të dëgjoheshin në seanca të mbyllura, për shkak të shqetësimeve të sigurisë kombëtare. BBC