Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë deklaratat e kreut të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili deklaroi të enjten (6 korrik) se drafti i paraqitur nga kreu i Qeverisë Shqiptare për Asociacionin ka elementë që përmbajnë autonomi territoriale për serbët në Kosovë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, Rama tha se gjatë takimit të zhvilluar në Prishtinë me Konjufcën, ata nuk kanë diskutua në asnjë moment në lidhje me draftin për Asociacionin.
“Ne nuk kemi folur asnjë fjalë për draftin e Asociacionit. Se pse Glauku tha të tjera gjëra jashtë dhe të tjera brenda, duhet të pyesni Glaukun, ose më mirë pyesni Albinin se e di Albini. Tani sa i përket pyetjes pse nuk u takuam, unë ju them se bëra përpjekjet maksimale për t’u takuar. Albini është shkëputur dhe është futur në një botë që është e mbyllur, por respekt gjithsesi. Glauku nuk e di fare se çfarë është drafti, ai di se çfarë duhet të thotë kur del para kamerave pasi është konsultuar me Albinin. Se kështu funksionon demokracia në Kosovë dhe unë e respektoj. Është vendi më demokratik në Ballkan, siç thotë Albini”, tha Rama.