Policia ka bërë të ditur se është bllokuar aktiviteti i gurores që administrohej nga fisi i Rrajave në Fushë-Krujë, pas dhunës së ushtruar ndaj fisit Maja.
“Borizanë, Krujë/Bllokohet aktiviteti në subjektin gurore “Delia Group” Bllokimi pas inspektimit të bërë nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me AKBN dhe AKSEM. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, të mbështetura nga strukturat e Drejtorisë së Përgithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore dhe Autoritetin Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, ushtruan kontroll ne subjektin gurore “Delia Group”, me administrator shtetasin V. D., me vendndodhje rreth 300 metra mbi fshatin Borizanë, Njësia Administrative Thumanë, Bashkia Krujë”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.
Sipas policisë, pas këqyrjes së sipërfaqjes ku kryhet aktiviteti i gurores, si dhe të dokumentacionit të saj është vendosur bllokimi i saj “deri në përgatitjen e dokumentacionit dhe vlerësimit të tij, nga ana e AKBN dhe AKSEM”.
Gjithshtu policia thekson se ka bërë vëzhgimin e 9 banesave që dyshohet se janë dëmtuar nga shpërthimet në gurore.
“Përveç kontrollit në këtë gurore u bë këqyrja e 9 (nëntë) banesave, të cilat dyshohet se janë dëmtuar nga aktiviteti i kësaj guroreje. Gjatë këqyrjes morën pjesë edhe specialistë të Agjencisë Kombetare të Burimeve Natyrore, të cilët bënë matjet për të përcaktuar distancën midis guroreve dhe banesave objekt këqyrje.
Aktet procedurale të përpiluara do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, si pjesë e materialeve të referuara më parë, për ngjarjen e datës 02.05.2023”, thuhet më tej në njoftimin e policisë.
Bllokimi i gurores në Borizanë të Krujës vjen pas dhunës së ushtruar me shkopa bejsbollit nga fisi Rraja ndaj dy personave të fisit Maja, të cilët ishin ankuar se prej shpërthimeve në gurore iu ishin dëmtuar shtëpitë.
Ndërkaq, deputeti socialist Rrahman Rraja deklaroi dorëzimin e mandatit dhe largimin nga jeta politike, pasi fëmijët dhe të afërmit e tij ishin përfshirë në ngjarjen e dhunshme tre ditë më parë në fshatin Borizanë afër Fushë- Krujës.
Pas dorëheqjes së Rrajas, kryeministri Edi Rama shkarkoi ministrin e Brendshëm Bledi Çuçi, duke emëruar në vend të tij Taulant Ballën.
Rama nuk i sqaroi arsyet e kësaj lëvizjeje, por vendimi vjen pas ngjarjes në Borizanë të Krujës, ku pjesëtar të fisit të deputetit socialist, Rrahman Rraja dhunuan në mënyrë barbare dy kushërinj, pas një konfliktit për guroren, aktiviteti i së cilës, u bllokua sot nga policia.